Nga Gazeta Si- Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion është vënë në lëvizje pas publikimit në media të kontratës së lobimit në SHBA të Partisë Demokratike, me vlerë prej 6 milionë dollarë. SPAK konfirmon se ka nisur verifikimet. Në lupën e prokurorëve janë pikërisht shifra e kontratës dhe burimi i të ardhurave i financuesve.
Lëvizja e SPAK erdhi pas publikimit në media të kësaj kontrate, ku Departamenti amerikan i Drejtësisë bëri publike marrëveshjen 24-mujorëshe me një vlerë totale prej 6 milionë dollarësh, sipas së cilës, për çdo muaj do të disbursohen 250 mijë dollarë.
Partia Demokratike ka reaguar pas SPAK, duke thënë se “kontrata me avokatin e Presidentit Trump nuk ka trembur vetëm Ramën, por dhe veglat e tij”.
“Partia Demokratike është transparente për kontratën me avokatin e Presidentit Trump, e cila është nënshkruar në përputhje të plotë me ligjet e të dyja vendeve dhe depozituar në FARA sipas çdo rregulli”, lexohet në deklaratën e PD-së.
Në reagimin e PD thuhet se pasi e përdori SPAK për vite me radhë si kapak për pusetën e skandalit të tij me McGonigal, sot Rama ka zgjuar sërish nga gjumi ata që kanë mbyllur sytë teksa kartelët e drogës në Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Shkodër janë përfshirë më fort se kurrë për të deformuar vullnetin e zgjedhësve, thotë PD.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.