Drejtësia

SPAK nis hetimet për skandalin e mjekëve te Onkologjiku

Gazeta Si - SPAK ka regjistruar procedimin penal për skanalin në Spitalin Onkologjik dhe ka dorëzuar në gjykatë dosjen për vlerësim të masave të sigurimit për 7 të akuzuarit që u arrestuan nga Prokuroria e Tiranës.

Sipas burimeve paraprake, SPAK ka nisur hetim edhe për korrupsion, përpos akuzë së shpërdorimit të detyrës.

SPAK kishte 10 ditë afat për të regjistruar ose jo procedimin pas shpalljes së moskompetencës nga Prokuroria e Tiranës.

Po ashtu, nga ana e SPAK janë duke u verifikiar edhe disa farmaci për kontrabandë ilaçesh. Në sitën e prokurorisë do të kalojnë edhe zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë dhe drejtues të QSUT për çështjen e qendrës së kobaltit.

Kirurgu i Spitalit Onkologjik, Edmond Gashi, ish-zv/drejtoresha e Qëndrës Spitalore “Nënë Tereza”, Brikena Qirjazi, koordinatori i spitalit Emiljano Lela dhe mjekja e spitalit Onkologjik, Alketa Ymeri Pere, akuzohen për “shpërdorim detyre”.

Më 26 qershor, Prokuroria e Tiranës zbuloi skemën e mashtrimit dhe zhvatjes së pacientëve të sëmurë me tumor në Spitalin Onkologjik.

Mjeku Edmond Gashi dyshohet se në bashkëpunim me kolegët e tij, orientonin pacientët e diagnostikuar me kancer në një klinikë private, e cila rezulton në emër të babait të tij.

Për çdo pacient që orientohej për trajtim tek spitali privat, mjekët e Onkologjikut përfitonin shuma të konsiderueshme parash.

Përpos kësaj, nga hetimet e prokurorisë rezultoi se në Spitalin Onkologjik u instalua një aparaturë Kobalto-Terapie për trajtimin e të sëmurëve të diagnostikuar me sëmundje tumorale dhe sidomos të sëmundjeve të kancerit të lëkurës.

Që të përdoret "Cobalt Therapy", duhet të krijohet një bunker antiradioaktiv ose antiatomik në kushtet e miratuara dhe të prezantuara nga Agjencia Atomike e Vjenës ose Agjencia Ndërkombëtare, IEAHEA. Hetimet zbuluan se ky bunker, jo vetëm nuk u krijua, por aparatura u vendos jashtë kushteve teknike.

Në dosje, theksohet fakti se Kontrolli i Lartë i Shtetit kishte bërë një audit në 2022 rreth situatës në këtë spital, ku zbuloi një numër të madh shkeljesh, duke hartuar edhe një sërë rekomandimesh, por që për rastin nuk ka pasur referim në prokurori.

SPAK tashmë do hetojë skemën, përmes të cilës mjekë të Spitalit Onkologjik shisnin ilaçe të spitalit tek subjektet private.

Në përgjimet telefonike, dolën punonjësit e këtij spitali, të cilët bënin pazare hapur, madje dhe planet për pushime luksoze në Tajlandë apo Maldive.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë