Drejtësia

SPAK nis hetim pasuror për personat e arrestuar në operacionin ‘Metamorfoza’

Gazeta Si - SPAK ka nisur hetimin pasuror për të arrestuarit e operacionit “Metamorfoza”. Mes personave ndaj të cilëve po bëhet hetim pasuror janë biznesmeni Pëllumb Gjoka, ish-drejtuesi i Forcës Operacionale Oltion Bistri dhe ish-kryeprokurori i Kukësit Xhevahir Lita.

Në ‘sitë’ janë vënë prona të luajtshme dhe të paluajtshme, automjete, banesa, biznese, llogari bankare etj. Qëllimi i hetimeve ka të bëjë me zbulimin e të ardhurave për të siguruar këto të mira materiale dhe nëse kanë burime të ligjshme. Ky hetim po ndiqet nga dy prokurorët Altin Dumani dhe Arben Kraja.

Një ditë më parë, Gjykata e Posaçme të Apelit zhvilloi një seancë me dyer të mbyllura ku është diskutuar lidhur me masat e sigurisë të të arrestuarve, nëse hetimi i tyre duhet të vijojë teksa ata ndodhen në qeli.

Të martën personat e mësipërm kërkuan daljen nga qelia, me pretendimin se transkriptet e ardhura nga Franca janë të pavlefshme, ndërsa të enjten në orën 10 vendoset nga gjyqtarja e Apelit Saida Dollani për kërkesën e tyre.

Ata akuzohen për 12 vepra penale ku më kryesoret janë për grup të strukturuar kriminal, vrasje, korrupsion etj.

Dosja lidhet me vrasjen e Gjin Boriçit në Shkodër, plagosjen e Taulant Pepajt, po në këtë qytet si dhe 3 plane atentatesh të parealizuara.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë