Gazeta Si – Nga SPAK, ku zbatoi masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për aferën “Partizani”, Sali Berisha pohoi se prokurorët i kishin shtuar një tjetër akuzë që lidhej me investimet e fëmijëve të tij në pasuritë e paluajtshme.
Kryedemokrati argumentoi para mediave se bëhet fjalë për apartamentin 3 plus 1 në pronësinë e tij, për të cilin përfitonin 1/3 e pronësisë dhe fëmijët e tij, pasi ishin mbi 18 vjeç.
Sipas tij fëmijët e tij kishin përfituar nga ligji për privatizimin njëjtë si 1 milionë shqiptarë të tjerë.
“Vajza ime dhe djali im, në përputhje me ligjin, vajza ime ka zotëruar një të tretën e apartamentit siç i takonte në atë kohë, sepse ishte mbi 18 vjeçe dhe ligji i privatizimit të banesave parashikonte që fëmijët mbi 18 vjeç të përfitojnë. Kjo është dhënë si një akuzë për korrupsion nga prokuroria politike. Edhe njëherë, prokuroria jep konkluzione që jo vetëm nuk kanë lidhje me faktet, por janë alogjike”, tha Berisha.
Kreu i PD lexoi para mediave edhe pasuritë që zotëron, referuar, sipas tij, deklaratave të dorëzuara në ILDKP.
“Konstatohet se shtetasja Argita Malltezi ka evidentuar në deklaratën e saj për vitin 1993 pronësinë vetëm të një apartamenti banimi me sipërfaqe 77 metër katrorë në rrugën ‘Myzeqari’, përfituar nga privatizimi, pjesa që zotëron një e treta e apartamentit”.
Sipas Berishës, kjo është “akuza e re e Altin Troplinit (Dumani) dhe ish-xhelatit të Sigurimit të Shtetit”, duke iu referuar ish-kreut të parë të SPAK, Arben Kraja.
Duke folur për Gjykatën Kushtetuese, Berisha hodhi akuza ndaj anëtarëve të saj, teksa tha se sillen si organizatë e Partisë Socialiste.
Kryedemokrati shtoi se tij anëtarët e GJK, “u mblodhën në seancë plenare për masën time, por nuk shpallën vendimin”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




