Gazeta Si - Prokuroria e Posaçme, SPAK ka marrë të pandehur Eduart Duron, kryebashkiakun e Devollit, nën akuzën “shpërdorim detyre”.
Sipas burimeve paraprake, mësohet se komunikimi i akuzës iu bë pak ditë më parë, ku Duro akuzohet se licencoi një biznes, pikë karburanti në Bilisht, që ishte ndërtim pa leje.
Hetimi i SPAK vjen pas një kallëzimi të depozituar në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion, nga një subjekt tjetër.
Vetë Duro ka mohuar akuzën, duke thënë se ka firmosur autorizimin e ligjshëm të Tatim-Taksave për shitjen e subjektit.
“Sektori i tatim taksave ka dhënë autorizim për shitje karburanti brenda dhe konform ligjit. Shtetasit J.K dhe M.K kanë bërë denoncim se ky dokument nuk duhej dhënë subjektit “Genci Petrol”. Kam firmosur çdo gjë siç e kërkon ligji dhe nuk bëhet fjala për shpërdorim detyre por për detyrë të plotësuar në kushtet e një kryetari bashkie”, ka deklaruar ai.
Edhe zyra e shtypit të Bashkisë Devoll, ka reaguar gjithashtu, duke ndarë dokumentin e autorizimit për subjektin.
“Lidhur me lajmin që sapo është publikuar, po ju vendosim në dispozicion autorizimin që është dhënë nga ana e Bashkisë Devoll për karburantin. Autorizimi është bërë nga drejtoria e tatim taksave, konform ligjit. Në këtë rast, nga ana e kryetarit të bashkisë Eduard Duro është firmosur autorizimi, duke plotësuar detyrën në kushtet e një kryetari bashkie. Nga ana e palës tjetër, është bërë denoncim se ky dokument nuk duhej t’i jepej subjektit "Genci Petrol", por në këtë rast autorizimi është dhënë sipas ligjit”.
Kryebashkiaku 48-vjeçar që ka mbaruar studimet për Marketing në Universitetin e Korçës, ka punuar si inspektor kontrolli në Tatimet e Devollit dhe si agjent doganor në Kapshticë, deri në momentin që është zgjedhur si kryebashkiak për PS, në zgjedhjet e 30 qershorit të vitit 2019 dhe ky është mandati i dytë i tij.
Pas disa rasteve të akuzuar për shpërdorim detyre dhe korrupsion, Duro është kryebashkiaku socialist i radhës që merret si i pandehur nga SPAK. Në zgjedhjet lokale të vitit të shkuar, Duro u shpall fitues me 8.376 vota, kundrejt kandidatit Ervis Hajderlli, i cili siguroi 8.011 vota.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.