Gazeta Si – SPAK do të marrë në dorë hetimet për atentatin mafioz pranë aeroportit të Rinasit, më 11 nëntor 2025, ku humbi jetën nga breshëria e armëve Gilmando Dani, i dyshuar si objektiv dhe Muçi Shaljani alias Sheqeri.
Mësohet se Prokuroria e Tiranës ia ka kaluar kompetencat Prokurorisë së Posaçme, pasi ngjarja është kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Hetuesit dyshojnë se shënjestër ishte Gilmando Dani, krahu i djathtë i Emiljano Shullazit, ndërsa 40-vjeçari kishte disa muaj që kishte dalë nga burgu i dënuar për grup kriminal, armëmbajtje pa leje dhe gjobëvënie.
Nga ana tjetër, Shaljani, i cili ishte agjent i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), ndërroi jetë në spital, disa ditë pas atentatit për shkak të plagëve në trup.
Policia ende nuk ka të dhëna për autorët e vrasjes, teksa verifikimet i ka shtrirë edhe në Spanjë, ku dy viktimat ishin para ekzekutimit.
Informacion është kërkuar edhe nga autoritetet greke, nga ku rezultoi se ishte vjedhur makina tip Toyota e 4 autorëve, së bashku me targat, të cilat u dogjën në fshatin Halil pas ngjarjes.
Rreth 5 kilometra nga ky vend, policia gjeti dhe sekuestroi një arsenal armësh në banesën e Ylli Zallës nga Fushë-Kruja, por u verifikua se ai nuk ka lidhje me atentatin.
Më 11 janar, Prokuroria e Tiranës njoftoi se do të marrë dëshminë e Emiljano Shullazit në lidhje me atentatin që ndodhi në Rinas për çdo dyshim në lidhje me persona të caktuar që mund të kenë organizuar ngjarjen.
Gilmando Dani ishte anëtar aktiv i grupit kriminal të drejtuar nga Shullazi dhe kishte pasur probleme me ligjin për gjobëvënie, duke u liruar nga burgu në tetor të vitit 2024.
Aktualisht mbetet e paqartë nëse Shullazi do të japë detaje të drejtpërdrejta mbi ngjarjen, por dëshmia e tij do të merret në ambientet e paraburgimit 313.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)


