Drejtësia

SPAK mbylli hetimet, avokatët e Metës kërkojnë lirimin nga burgu: Nuk prish provat

Gazeta Si – Avokatët e kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, kanë depozituar këtë të mërkurë në Gjykatën e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar një kërkesë për zëvendësimin e masës së sigurimit ndaj tij.

Sipas përfaqësuesve ligjorë, kërkesa bazohet në faktin se SPAK ka përfunduar hetimet ndaj Metës dhe për pasojë, nuk ekziston më asnjë arsye procedurale për ta mbajtur në masën e paraburgimit.

“Nuk ka kuptim procedurial mbajtja në burg e Ilir Metës sepse nuk mund të prishë më provat”,- theksohet në kërkesën drejtuar GJKKO.

“Ka edhe një element tjetër që gjykatat se kanë marrë parasysh dhe me dashje e kanë anashkaluar. Fakti që është edhe politikan aktiv, presidenti Partisë Lirisë. I kërkojmë gjykatës, pranimin e kërkesës për zëvendësimin e masës sigurimit personal për të pandehurin Ilir Metaj në një masë tjetër që të jetë proporcionale me rrethanat e krijuara por edhe me personalitetin e tij”, argumenton më tej avokati Kujtim Cakrani.

Gjykata pritet të shqyrtojë kërkesën në një seancë të veçantë, ndërsa mbetet për t’u parë nëse do të miratohet lirimi ose ndryshimi i masës së sigurisë për ish-presidentin.

Kërkesa e Presidentit të Partisë së Lirisë për të lënë qelinë e burgut 313 ku qëndron që prej 21 tetorit të vitit të kaluar, vjen dy ditë pasi SPAK i komunikoi atij në një seancë prej rreth tre orësh përfundimin e hetimeve dhe kalimin e dosjes në Gjykatën e Posaçme.

Ish-presidenti u arrestua më 21 tetor të vitit të kaluar teksa kthehej nga Kosova në Tiranë me automjet. Ndaj Metës rëndojnë akuzat e korrupsionit pasiv, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë. Të njëjtat akuza rëndojnë edhe ndaj ish-bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi.

Të pandehur për dosjen hetimore të Metës janë marrë edhe ish-vjehrra e tij Fatime Kryemadhi e cila akuzohet për pastrim parash si dhe Ema Çoku e Pirro Xhixho si bashkëpunëtorë të ish-çiftit të politikanëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë