Drejtësia

SPAK mbyll hetimet, Elvis Roshit i komunikohet akuza për shpërdorim detyre

Nga Gazeta ‘Si’- Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet për ish-kryebashkiakun e Kavajës, Elvis Roshi i marrë i pandehur për shpërdorim detyre.

Roshi u paraqit sot në SPAK, nën shoqërinë e avokatit mbrojtës Andi Skënderi, ku iu komunikua mbyllja e hetimeve, ndërsa dosja pritet të kalojë për gjykim. 

Elvis Roshi u kallëzua 10 vite më parë në Prokurorinë e Kavajës nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) në shtator të vitit 2015, pasi ai dhe 10 zyrtarë të tjerë dyshoheshin se kishin shkaktuar një dëm ekonomik prej 33 milionë lekësh me tenderët e rikonstruksionit të qendrës së qytetit dhe ndërtimin e disa rrugëve.

Në dy raste, KLSH e akuzoi bashkinë e Kavajës se ka ndjekur standard të dyfishtë në vlerësimin e pjesëmarrësve në tenderë, duke skualifikuar operatorin me ofertën më të ulët.

Për 3 tenderë të tjerë, u konstatua se ofertuesi me çmimin më të ulët është skualifikuar padrejtësisht si rezultat i llogaritjes së gabuar të ofertës.

Çështja shkoi më pas në Prokurorinë e Durrësit e cila kërkoi ta mbyllte, por një vendim i GJKKO vitin e kaluar urdhëroi hetimin e dosjes nga SPAK.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë