Gazeta Si – SPAK i ka cilësuar si të pabazuara në ligj e në prova pretendimet e të pandehurit Sali Berisha për pavlefshmëri dhe papërdorshmëri të akteve të dosjes “Partizani”.
Në seancën e kësaj të hëne, prokurori Arben Kraja, argumentoi se çdo veprim i SPAK ka qenë në zbatim të ligjit dhe kompetencës së SPAK.
“Nuk janë evidentuar elementë të korrupsionit nga zyrtarë të tjerë. Pretendimet për pavlefshmëri të akteve janë të pambështetur në ligj dhe në prova. Regjistrimi i procedimit penal mund të bëhet në ditën e kallëzimit, ose deri në një afat 15 ditor, por kjo nuk do të thotë se duhet të presësh të mbarojë afati 15 ditor”.
Kraja sqaroi edhe ankimin e avokatëve të Berishës për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka. “Mbi pretendimet për gjendjen e gjyqtares (Irena Gjoka) në kushtet e pazgjedhshmërisë, vlerësojmë se janë të pambështetur në ligj dhe prova. Gjyqtarja është e zgjedhur nga organet përkatëse dhe ushtron detyrën në zbatim të ligjit. Mbi pretendimet për papërdorshmëri të disa akteve të ekspertimit, ekspertet janë punonjës të institucioneve shtetërore dhe nuk ka asnjë ndalesë ligjore, që të pengojë marrjen e tyre, vetëm për shkak se nuk janë në një listë të caktuar. Ekspertët nuk kanë asnjë interes në këtë procedim. Nuk ka pasur konflikt interesi mes tyre dhe të pandehurve, apo avokatëve të tyre”, u shpreh Kraja.
Gjykata e Posaçme mori dy javë kohë për t’u shprehur mbi pretendimet paraprake të palëve, duke e shtyrë seancën për më 27 tetor.
Dosja për çëshjen “Partizani” kaloi për gjykim më 19 maj dhe kryetari i PD-së Sali Berisha, do të gjykohet për akuzën e korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë.
Edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi është nën akuzë për korrupsion por edhe për pastrim parash. Sipas SPAK, ai ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



