Gazeta Si – SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit ka konfirmuar incidentin që ndodhi mbrëmjen e të martës kundër hetuesve të saj në Fier, ku u përplasën fizikisht me njerëz dhe të afërm të Agron Kapllanajt, ish-kreu demokrat i Bashkisë së Mallakastrës.
Në një njoftim për shtyp, thuhet se hetuesit e BKH-së dhe punonjësit e policisë, po kryenin detyra hetimore të deleguara, në kuadër të një hetimi të SPAK.
“Mbështetur në informacionin e përcjellë nga Drejtoria Vendore e Policisë, Fier (DVP) dhe verifikimet e kryera, ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:20 minuta, në aksin Fier – Patos. Ndërsa hetuesit e BKH-së dhe oficerët e Policisë së Shtetit po kryenin detyrën, janë sulmuar pa asnjë motiv nga persona tashmë të identifikuar dhe shoqëruar në DVP, Fier”, – thuhet në njoftim.
Sipas SPAK, ngjarja a ndodhur rreth orës 19:20 minuta në aksin Fier-Patos. Ndërsa hetuesit e BKH-së dhe oficerët e Policisë së Shtetit po kryenin detyrën, janë sulmuar pa asnjë motiv nga persona tashmë të arrestuar nga policia në Fier.
Sipas burimeve, bëhet fjalë për dy nipërit e ish-kryebashkiakut të Mallakastrës, Agron Kapllanaj, Ledjan dhe Klaudio Kapllanajt, si edhe një person tjetër, Gerald Kollçaku.
SPAK gjithashtu u bën thirrje të gjithë qytetarëve të bashkëpunojnë me institucionet e drejtësisë dhe të respektojnë autoritetin e hetuesve dhe Policisë së Shtetit që veprojnë në zbatim të detyrës së tyre.
Më herët, në versionin e tij për ngjarjen, ish-kryebashkiaku i Mallakastrës, Agron Kapllanaj, ka pohuar se në parkimin e zyrave të subjektit politik që ai përfaqëson, ka shkuar një mjet i pa loguar dhe prej andej personat kanë ngritur një dron.
Ky veprim, sipas tij është kryer dhe në një kohë të dytë dhe ka ngjallur dyshime të zyrtarëve që ishin brenda godinës.
“Kur ka shkuar roja i objektit për të kërkuar shpjegime se përse po ngrenë dronin nga parkimi i zyrave të tyre, një prej agjentëve i ka thënë se ‘po kërkojnë të blejnë një pronë’, ndërsa më pas e ka ofenduar me fjalë të rënda”, pretendon Kapllanaj.
Pas debatit, agjentët janë larguar me mjetin e tyre dhe janë ndjekur nga disa zyrtarë të subjektit politik dhe dy të afërm të Agron Kapllanajt.
Më tej, Kapllanaj sqaron se pak minuta më vonë kanë arritur që t’i ndalojnë dhe aty ka nisur një përplasje e dytë mes agjentëve të BKH dhe njerëzve të Kapllanajt.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.