Drejtësia

SPAK kërkon që dosja ‘Meta’ të kalojë për gjykim. Kryemadhi: Na shtuan listën e provave!

Gazeta Si – SPAK ka mbyllur parashtrimet në gjyqin paraprak ndaj Ilir Metës, Monika Kryemadhit dhe tre të tjerëve, ku prokurori i çështjes ka kërkuar dërgimin në gjyq të 5 të akuzuarve, për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë.

“Me thënë të drejtën kishte përsëritjet të të njëjtave gjëra disa herë. I vetmi qëllim ka qenë të shtonin volumin e faqeve. Sot na u dorëzua edhe lista e provës rreth 40 e ca faqe, ku pjesë e tyre janë intervista, shkrime, gazeta që për herë të parë edhe në kohën e diktaturës nuk quheshin prova”, tha Kryemadhi në dalje nga ambientet e GJKKO-së.

Pasi edhe mbrojtja të parashtrojë argumentet e veta, do të jetë Gjykata e Posaçme ajo që vendos nëse çështja do të kalojë për gjykim apo jo. Seanca e radhës është shtyrë për të enjten tjetër, 12 shkurt.

Ish-presidenti Ilir Meta akuzohet për tre vepra penale, të cilat iu komunikuan më 4 gusht 2025, sa i përket dosjes CEZ/DIA dhe lobimit në SHBA. Ai akuzohet për fshehje pasurie, pastrim parash dhe korrupsion.

Ai ndodhet në paraburgim që prej tetorit të vitit 2024, ndërsa ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, është nën masën e “detyrimit për paraqitje”.

Dosja “Meta” përfshin gjithashtu hetime ndaj nënës së Kryemadhit, Pirro Xhixhos dhe Ema Çokut. Të pandehurit akuzohen për disa vepra penale, përfshirë korrupsionin pasiv, pastrimin e parave dhe mosdeklarimin e pasurive.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë