Prokuroria e Posaçme ka kërkuar konfiskim të disa pasurive të Dritan Dajtit. Kërkesa është bërë në bazë të Operacionit “Forca e Ligjit”, ku bëhet fjalë për 6 pasuri.
Gjykata e Posaçme ka caktuar këtë të mërkurë në orën 13:30 për shqyrtimin e kërkesës së SPAK-ut. Dritan Dajti është një ndër emrat më të njohur të botës së krimit në vend. Ai ndodhet në burg që prej vitit 2009, pasi akuzohet për vrasjen e katër efektivëve të policisë.
Fatos Xhani, Altin Dizdari, Kastriot Feskaj dhe Sajmir Duçkollari, mbetën të vrarë në operacionin e policisë më 7 gusht të vitit 2009 në zonën e plazhit “Iliria” në Durrës në një përpjekje për të arrestuar Dritan Dajtin, i cili ishte shpallur në kërkim.
Dajti ishte dënuar për vrasjen e biznesmenit Agim Bego në një ngjarje të ndodhur në vitin 1999 në Tiranë.
Gjatë përplasjes me armë zjarri, ku mbeti i vrarë dhe një bashkëpunëtor i tij, Dajti u plagos dhe për një kohë të gjatë qëndroi i shtruar në spital.
Ai është duke vuajtur dënimin, pasi akuzohet se ka kryer veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Mbajtja pa leje e armëve luftarake”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve” dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”.
Gjatë gjithë procesit gjyqësor Dajti nuk mori avokat, por nuk pranoi as avokatët kryesisht të përcaktuar nga shteti. Pas një sage të gjatë seancash, pavarësisht mungesës së avokatit, ai u dënua me burgim të përjetshëm. Por para dy vitesh, Gjykata e Lartë e ktheu këtë shqyrtim për shkelje proceduriale në shkallë të parë sërish.
Gjatë rishqyrtimit, Dajti nuk e pranoi mbrojtjen, por gjithsesi ai u gjet sërish fajtor për vrasjen e katër policëve, ndërsa Apeli i uli atij një të tretën e dënimit, duke ia kthyer në 25 vjet burg.
Anëtarët e trupës gjykuese nuk i përkasin Gjykatës së Krimeve të Rënda, por janë gjyqtarë të deleguar që vijnë nga Gjykatat e Apelit në rrethe.
Kjo për shkak, se të gjithë gjyqtarët kishin konsumuar të paktën një herë të drejtonin seancat ndaj Dajtit dhe ishin përjashtuar nga gjykimi ndaj tij.
Ky është rasti i parë që një vendim i Gjykatës së Krimeve të Rënda nuk i dënon me burgim të përjetshëm ata që gjen fajtorë për vrasjen e policëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




