Nga Gazeta ‘Si’- Mbledhja e Këshillit të Mandateve, e thirrur prej orës 10:30 të kësaj të premteje, për heqjen ose jo të imunitetit të Belinda Ballukut, është shtyrë, ndërsa nuk ka një datë të caktuar për rifillimin e saj.
Megjithatë, më herët, SPAK ka vendosur që deputetët pjesëmarrës, do të mund të marrin në dorëzim për të shqyrtuar provat që Prokuroria e Posaçme ka vënë në dispozicion të tyre në një USB.
Sipas burimeve, dosja me prova është rreth 16 mijë faqe, ndërsa palët janë dakordësuar që deputetët ta marrin USB-në me vete.
Fillimisht, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi se dokumentacioni nuk duhet të dalë nga mbledhja e Këshillit të Mandateve.

Balla u ka thënë demokratëve që provat (USB) ta shohin në mbledhje dhe të mos i marrin me vete. Por me sa duket palët kanë gjetur dakordësinë për të marrë USB-në.
Burime bëjnë me dije se prokurorët kanë sqaruar se materiali i USB-së mund të aksesohet vetëm nga anëtarët e Këshillit të Mandateve, duke respektuar procedurat ligjore të sekretit hetimor.
Më tej burimet saktësojnë se Braho, duke folur për aksesin që do të kenë anëtarët e Këshillit në USB, do të duhet të firmosin një deklaratë konfidencialiteti, të përpiluar nga Prokuroria e Posaçme.
Gjithnjë sipas burimeve, mësohet se Prokuroria ka dhënë dakordësinë që edhe avokati i Ballukut të njihet me provat.
Për këtë arsye, avokati i saj ka kërkuar që të marrë 3 javë kohë për t’u njohur me të, por SPAK thotë se 5 ditë është koha maksimale.
Në relacionin zyrtar dërguar Kuvendit, SPAK rendit arsyet që, sipas tij, e bëjnë të nevojshëm heqjen e imunitetit të Ballukut.
Prokuroria pretendon se ajo ka ndërhyrë në manipulimin e 12 procedurave tenderuese. Sipas SPAK, ekziston rreziku që, për shkak të pozitës dhe profilit të saj, Balluku të kryejë veprime penale të tjera.
Rregullorja e Kuvendit nuk përcakton një afat të saktë për përfundimin e shqyrtimit nga Këshilli, por pas mbledhjes së fundit, ka maksimumi dy javë për hartimin e raportit përfundimtar. Ky raport duhet më pas të votohet në seancën plenare më të afërt. Ligji parashikon gjithashtu një afat tre mujor, brenda të cilit, nëse nuk merret vendim, kërkesa e prokurorisë bie automatikisht.
Një ditë më parë, Apeli i GJKKO-së la në fuqi masën e ndalimit të daljes jashtë vendit për Ballukun. Ndërkohë, nuk u shqyrtua ankesa për pezullimin e saj nga detyra, për t’i lënë kohë Gjykatës Kushtetuese të shprehet mbi ankimin e kryeministrit Edi Rama, i cili ka kërkuar zgjidhjen e konfliktit të kompetencave me GJKKO-në. Kushtetuesja vendosi rikthimin e Ballukut në detyrë, deri në vendimmarrjen përfundimtare mbi kërkesën e qeverisë.
Hetimet ndaj Ballukut lidhen me disa procedura infrastrukturore. Ajo është e pandehur për shkelje në tenderi për Tunelin e Llogarasë dhe është nën hetim për 7 lotet e Unazës së Madhe. Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit është organi parlamentar që shqyrton kërkesat e prokurorisë për heqjen e imunitetit të deputetëve dhe anëtarëve të qeverisë me mandat parlamentar. Procedura përfshin dëgjesa, raportim dhe më pas votim në seancë plenare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




