Drejtësia

SPAK kërkon 157 vite burg ndaj 6 të akuzuarve për vrasjen e Santiago Malkos

Gazeta Si – SPAK ka kërkuar 157 vite burg për të pandehurit lidhur me vrasjen e ish-policit Santiago Malko në gusht të viti 2019.

Të akuzuar për këtë ngjarje janë anëtarët e “klanit Duka” në Elbasan, të cilët kishin konflikte me të shumëkërkuarin Ervis Martinajn, biznesmenin e zhdukur prej gushtit të vitit 2022.

Ata akuzohen për “Vrasje me Paramendim”, “Armëmbajtje pa leje”, “Trafik Narkotikësh”, vepra këto të kryera në formën e Grupit të Strukturuar Kriminal.

Më 25 korrik do të bëhet mbrojtja dhe më pas gjykata e posaçme do të shpallë dënimin për dosjen e 6 të akuzuarve.

Leonard Duka akuzohet si një nga autorët e vrasjes së Santiago Malkos në vitin 2019. Ai u arrestua në shkurt 2024 në Belgjikë dhe u ekstradua në vendin tonë në gusht të po atij viti.

Santiago Malko, ish-punonjës i Policisë së Tiranës, mbeti i vrarë mbrëmjen e 27 gushtit të vitit 2019 në një atentat të mirëorganizuar.

Ngjarja ndodhi në zonën e Porcelanit në rrugën “Xhanfize Keko”, kur drejt makinës së 26-vjeçarit Malko u qëllua me breshëri nga një tjetër makinë në lëvizje.

Ai ishte një emër i njohur për autoritetet. Në vitin 2016 ka qenë punonjës i Patrullës së Përgjithshme të Policisë së Tiranës, ndërsa dyshimet e ekzekutimit të tij ishin për hakmarrje, pasi dyshohej se ishte i përfshirë në një ngjarje kriminale të ndodhur në qytetin e Durrësit.

Për atentatin u dënua me 25 vite burg Blendi Teta ndërsa të shpallur në kërkim janë edhe vëllai i Leonardit, Erlis Duka, Oltian Loga, Fatmir Hyseni, Dritan Agaj, Aleksandër Maxhaku dhe Xhoni Nica. 

Pretenca e SPAK për të pandehurit:

25 vite burg për Erlis Dukën

32 vite burg per Fatmir Hysenin

23 vite burg per Oltion Logën

32 vite burg për Leonard Dukën

22 vite burg për Aleksandër Manxhakun

23 vite burg për Dritan Agajn


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë