Drejtësia

SPAK kërkon 12 vjet burg për Hekuran Markun, ish-truprojën e Sajmir Tahirit

Gazeta Si – SPAK ka kërkuar 12 vjet burg për Hekuran Markun, një nga ish-truprojat e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Ish-oficeri akuzohet për trafik ndërkombëtar droge dhe grup kriminal, ndërsa pak ditë më parë Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e tij për gjykim të shkurtuar.

I shpallur në kërkim pas operacionit “Shpirti”, Hekuran Marku u arrestua në shtetin gjerman dhe u ekstradua drejt vendit tonë në prill të këtij viti.

Emri i Markut doli së bashku me atë të ish-truprojës tjetër të Tahirit, Agustin Deda.

Ky i fundit është i lirë në Francë, pasi ka kërkuar azil politik dhe autoritetet atje janë duke shqyrtuar kërkesën e tij.

Marku dhe Deda akuzohen si të përfshirë në ‘skemën’ e trafikut ndërkombëtar të kanabisit të drejtuar nga Ilirjan Duçellari.

Sipas SPAK, 2 truprojat kanë bashkëpunuar edhe me 4 italianë dhe një shqiptar për të trafikuar rreth 1 ton kanabis drejt Italisë.

Kjo sasi droge u sekuestrua më pas në Bari ku u vendosën në pranga 2 persona. Në dosje thuhet se Marku dhe Deda kishin kultivuar drogën në disa parcela në Tepelenë dhe ishin kujdesur për transportin e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë