Drejtësia

SPAK kërkoi kalimin për gjykim, shtyhet më 17 nëntor seanca paraprake për Erion Veliajn

Gazeta Si – Gjykata e Posaçme shtyu për me 17 nëntor seancën paraprake ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj dhe të bashkëpandehurve të tjerë.

Gjatë seancës, gjykata u njoh me kërkesën e SPAK për kalimin në gjykim të çështjes. Erion Veliaj nuk u paraqit në seancë, por u përfaqësua nga avokatët e tij.

Në këtë dosje janë përfshirë 29 të pandehur, mes tyre kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj dhe bashkëshortja e tij Ajola Xoxa, krahas disa përfaqësuesve të kompanive private dhe organizatave jofitimprurëse.

SPAK përfundoi hetimet dhe dërgoi dosjen për gjykim më 10 shtator 2025, duke ngritur ndaj Veliajt 13 akuza, mes tyre: Korrupsion pasiv në 9 raste, pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe fshehje të të ardhurave, shpërdorim detyre, si dhe futje e sendeve të ndaluara në qeli.

Edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa akuzohet për korrupsion pasiv në 9 raste, si dhe për pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe fshehje të të ardhurave.

Veliaj u arrestua më 10 shkurt 2025 me urdhër të SPAK. Pas arrestimit, Këshilli Bashkiak e shkarkoi nga detyra më 23 shtator, me 50 vota pro, ndërsa Këshilli i Ministrave e konfirmoi vendimin më 25 shtator.

Më pas, Veliaj iu drejtua Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar shfuqizimin e shkarkimit si antikushtetues.

Më 3 nëntor, Gjykata Kushtetuese vendosi në favor të tij, duke e shpallur të paligjshëm shkarkimin e tij nga Këshilli Bashkiak i Tiranës dhe Këshilli i Ministrave.

Sipas gjykatës, Veliaj nuk ka kryer shkelje të rëndë, pasi mungesa e tij në detyrë lidhet me arrestimin dhe jo me neglizhencë apo abuzim.

Në të njëjtin vendim, Kushtetuesja shfuqizoi dekretin e presidentit Bajram Begaj për zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme lokale në Tiranë, të planifikuara për më 9 nëntor.

Në seancën paraprake, GJKKO do të vendosë nëse provat e SPAK janë të mjaftueshme për ta dërguar çështjen për gjykim të plotë.

Nëse gjykata vendos ta pranojë kërkesën e prokurorisë, pritet që procesi ndaj Veliajt dhe bashkëpandehurve të tij të nisë brenda këtij muaji.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë