Politike

SPAK kërkoi heqjen e imunitetit të Ballukut, Rama: Kemi 83 mandate, do mbajmë qëndrim të drejtë

Nga Gazeta ‘Si’-  Fill pas kërkesës së SPAK në drejtim të Kuvendit për heqjen e imunitetit ndaj Belinda Balluut, ka reaguar kryeministri Edi Rama.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama kritikon arrestet në burg ose në shtëpi, pa gjyq, duke e cilësuar të turpshëm “faktin që Shqipëria është bërë një vend me më shumë të paraburgosur se sa të burgosur”.

“Pasi u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese për pezullimin antikushtetues dhe antidemokratik të një anëtari të qeverisë, pa u tharë ende boja e vendimit të Kushtetueses, prokurori në fjalë i kërkon Kuvendit, autorizimin për të arrestuar zv.kryeministren – me burg ose në shtëpi.

Që arrestet pa gjyq, në daç në shtëpi e në daç me burg, janë bërë një modë e vrazhdë në Shqipëri, e që Shqipëria është bërë një vend me më shumë të paraburgosur se sa të burgosur – një fakt i turpshëm pa asnjë lidhje me standartet demokratike europiane – gjë që ka shqetësuar seriozisht edhe Këshillin e Europës, kjo dihet botërisht.”

Në fund të reagimit të tij, ai thotë se sa i përket grupit parlamentar të Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë, kjo forcë qeverisë do të shqyrtojë kërkesën e SPAK dhe do të mbajë një qëndrim të drejtë.

“Por sigurisht që në rastin në fjalë, ne s’mund dhe s’do ta paragjykojmë kërkesën e prokurorit special, por duke qenë se ndryshe nga proceset e tjera, ku ne si rregull s’flasim për përmbajtjen e çështjeve, këtë herë na kërkohet të japim opinionin tonë, ne do të angazhohemi me të gjithë përgjegjësinë tonë përpara shqiptarëve që na dhanë 83 mandate, e do të përgatitemi për të mbajtur një qëndrim të drejtë, të qartë e të denjë, si forca udhëheqëse e vendit dhe e Reformës në Drejtësi”, tha Rama në një postim në “X”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë