Gazeta Si- SPAK ka njoftuar sot se ka zbuluar dhe autorët e hedhjes së eksplozivit në hotel “Victoria” në Tiranë ngjarje e ndodhur në më 30 maj 2020.
Hoteli në fjalë është në pronësi të Luan Matës, babai i Ervin Matës, i shpallur në kërkim, pasi akuzohet si pjesë e një grupi kriminal që trafikonte drogë dhe planifikonte vrasje, ku u arrestua dhe ish zv/drejtori i policisë së Tiranës, Erzen Breçani.
Sipas SPAK, Ramazan Raja akuzohet se ka kryer veprën penale në bashkëpunim me të pandehurit Plaurent Dervishaj dhe Juljan Mecaj.
Sipas SPAK, Ramazan Rraja ka siguruar një automjet tek njohjet e tij shoqërore në Durrës dhe ka dërguar një nga të afërmit e tij për ta marrë makinën për të realizuar hedhjen e sasisë së eksplozivit në hotel “Victoria”.
“Ramazan Rraja, Plaurent Dervishaj dhe Julian Meçaj, të akuzuar për kryerjen e veprave penale të mëposhtme:
“Shkatërrimit të pronës me eksploziv”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 152/1 dhe 25, të Kodit Penal (lidhur me episodin e datës 30.05.2020, ndodhur në Tiranë) dhe “Prodhimi dhe mbajtje pa leje e armëve shpërthyese”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 278/5 dhe 25, të Kodit Penal (lidhur me episodin e datës 30.05.2020, ndodhur në Tiranë)”, informon SPAK.
Gjithashtu, Prokuroria e Posaçme shpjegon: “Ka rezultuar se i pandehuri Ramazan Rraja, është njëri nga personat që ka kërkuar dhe siguruar një automjet, tek njohjet e tij shoqërore në Durrës, dhe në vijim ka dërguar një nga të afërmit e tij me qëllim për ta marrë këtë automjet, dhe për të realizuar hedhjen e sasisë së lëndës eksplozive, në hotel “Victoria” Tiranë, në pronësi të shtetasit Luan Mata, ngjarje e ndodhur më datë 30.05.2020, ora 22:35. Lidhur me këtë episod i pandehuri Ramazan Rraja akuzohet se e ka kryer veprën penale në bashkëpunim me të pandehurit Plaurent Dervishaj dhe Juljan Mecaj.”
Nga shpërthimi i 30 majit nuk pati të lënduar vetëm dëme materiale. Ndërkohë, ish-anëtari i bandës së Durrësit, Julian Meçaj, është arrestuar në shkurt 2024 nga policia në Dubai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.