Nga Gazeta ‘Si’- Në ditën kur kryeministri Edi Rama u tregua kritik ndaj SPAK, duke “i tërhequr veshin” për Task Forcën e re që po ngrihet për hetimin e krimeve zgjedhore, Prokuroria e Posaçme ka publikuar “Strategjinë e Hetimit dhe Parandalimit të Krimit Zgjedhor”, për procesin që vuloset më 11 Maj.
SPAK nënvizon se do të ketë verifikim në terren të indiceve apo fakteve rreth kryerjes së veprave penale në kuadër të zgjedhjeve për Kuvendin 2025.
Po ashtu Task Forca do të verifikojë raportimet që ngrenë dyshime të arsyeshme mbi keqpërdorimin e buxhetit dhe investimeve publike gjatë periudhës zgjedhore prej subjekteve të posaçme.
Në fokusin e SPAK do të jenë edhe mediat e rrjetet sociale, të cilat do të monitorohen për indicie të mundshme në kryerjen e veprave penale në kuadër të zgjedhjeve.
I gjithë procesi sipas SPAK do të realizohet falë bashkëpunimit ndërinstitucional me Prokurorinë e Përgjithshme, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Policinë e Shtetit, organizmat ndërkombëtare dhe organizatat e shoqërisë civile që monitorojnë proceset zgjedhore.
Rama u tregua kritik në lidhje me ngritjen e Task Forcës së re nga SPAK për hetimin e krimeve zgjedhore.
Sipas Ramës, partitë nuk mund të survejohen në një proces elektoral, teksa survejimin e paralajmëruar në terren e cilësoi se shpreson që të jetë një lajthitje momenti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




