Drejtësia

SPAK i kërkon autorizim Kuvendit për arrestimin e Belinda Ballukut: Në hetim për 8 tenderë

Gazeta Si – Katër ditë pasi Gjykata Kushtetuese pezulloi vendimin e GJKKO-së dhe riktheu në detyrë zv.kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku, SPAK i kërkon Kuvendit autorizim për arrestimin e saj.

Për të vendosur Ballukun në masë “arresti me burg” ose “arrest shtëpie”, do duhet që Kuvendi të miratojë heqjen e imunitetit të deputetes, kërkesë e SPAK që tashmë është depozituar në Parlament.

Në njoftimin zyrtar, SPAK informon Kuvendin se Balluku po hetohet në total për 8 procedura prokurimi, për të cilat akuzohet për shkelje të barazisë në tenderë, pasi dyshohet se në bashkëpunim me vartësit, kanë paracaktuar fituesit.

Numri 2 i qeverisë është marrë e pandehur për shkeljet me tenderin 190 mln euro të Tunelit të Llogarasë, ndërkohë në hetim është vënë për të 7 lotet e Unazës së Madhe, një projekt për të cilin janë prokuruar 45.9 miliardë lekë (450 milion euro).

Këto procedura lidhen me projekte madhore infrastrukturore në Tiranë, përfshirë punimet në aksin “Sheshi Shqiponja – Bulevardi i Ri”, ndërtimin e disa segmenteve rrugore dhe urave mbi lumin Tirana, si dhe ndërtimin e Unazës së Jashtme të Tiranës në lotet 4, 5, 6 dhe 7.

Kërkesa e SPAK, sipas rregullores së Kuvendit, duhet t’i vendoset menjëherë në dispozicion 10 anëtarëve të Këshillit të Mandateve.

Ky këshill nuk voton, por brenda 2 javëve përgatit një raport, në të cilin rekomandon rrëzimin ose miratimin e dhënies së autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të “arrestit në burg” ose në shtëpi për Belinda Ballukun, siç kërkon SPAK, dhe më tej i përcillet Kuvendit për votim të hapur në seancë plenare.

Nëse Kuvendi nuk merr vendim për dhënien ose mosdhënien e autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të “arrestit në burg” ose në shtëpi, brenda 3 muajve nga data e paraqitjes së kërkesës përkatëse, atëherë kërkesa konsiderohet e rrëzuar nga Kuvendi.

Belinda Balluku u rikthye në detyrë, me vendim të Gjykatës Kushtetuese, më 12 dhjetor, pas shqyrtimit të kërkesës së kreut të qeverisë për të zgjidhur mosmarrëveshjet e kompentencave mes ekzekutivit dhe Gjykatës së Posaçme. Kështu u rrëzua vendimi i marrë nga GJKKO në datën 20 nëntor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë