Agjentët e BKH kanë zbarkuar në qytetin e Vlorës mesditën e së mërkurës rreth orës 12:30, me qëllim kontrollin e banesës së ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Ata kanë pritur tre orë pasi kanë kërkuar çelësin e banesës, por nuk është paraqitur askush. Pas tre orësh, rreth orës 15:30, kanë lajmëruar shërbimin zjarrfikës me qëllimin e hapjes së banesës me forcë.
Burime nga grupi i hetimit bëjnë me dije se në banesë nuk janë gjetur sende të dyshimta përveç disa shisheve me verë. Sipas informacioneve, në kontrollet e mëparshme në sendet e Beqajt janë gjetur foto të objektit me të njëjtin arredim.
Ndërkohë, pas kontrollit të banesës deri në orët e pasdites (18:00), agjentët kanë kontrolluar disa garazhe në pallat. Informacionet e grumbulluara bëjnë me dije se ish-ministri parkonte një makinë pikërisht në atë pallat. Ndërkohë gjatë kontrolleve të pronave të ish-ministrit nuk është gjetur një automjet, prandaj po kërkohet edhe në garazhet e pallatit.
Edhe pse nga avokati i Beqaj ka pasur një reagim për objektin që nuk është në pronësi të Ilir Beqaj, agjentët e SPAK-ut kanë kryer kontrollin deri në fund.
Avokati Ermal Yzeiraj tha në një reagim se atë apartament Beqaj e ka pasur me qira që në 2020 dhe prej kohësh nuk e përdor më.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.