Drejtësia

SPAK godet sërish vëllezërit Çopja, u sekuestrohet një vilë në Elbasan

Nga Gazeta Si – SPAK ka goditur sërish organizatën kriminale të dy vëllezërve Franc e Hajdar Çopja, duke u sekuestruar një vilë dykatëshe në Elbasan, pasuri e cila dyshohet se është vënë nga aktiviteti kriminal. Vila me një vlerë të konsiderueshme, siç thotë SPAK, është vënë në sekuestro me datë 23 shkurt 2025 dhe ndodhet në lagjen ‘5 Maji’ në Elbasan.

Vila e sekuestruar është dykatëshe, një tarracë e hapur mbi katin e dytë të banimit, një kat nëntokë, i përshtatur për palestër dhe i pajisur me vegla palestre, një oborr dhe lulishte në pjesën e përparme të godinës së banimit, verandë dhe lulishte në pjesën e pasme të godinës së banimit, si dhe një garazh i hapur nëpërmjet të cilit kalohej në një ndërtesë 1-katëshe, e përshtatur dhe e mobiluar me pajisje zyre.

Kati i parë i banimit përbëhej nga një garazh i mbyllur, një dhomë pritjeje, një kuzhinë, si dhe një dhomë gjumi, ambiente plotësisht të mobiluara. Kati i dytë i banimit, përbëhej nga dy dhoma gjumi, secila me garderobë të veçuar dhe këto hapësira plotësisht të mobiluara.

“Njësia e banimit, objekt i sekuestrimit ishte një vilë private, me 2 (dy) kate banimi, një tarracë e hapur mbi katin e dytë të banimit, një kat nëntokë, i përshtatur për palestër dhe i pajisur me vegla palestre, një oborr dhe lulishte në pjesën e përparme të godinës së banimit, verandë dhe lulishte në pjesën e pasme të godinës së banimit, si dhe një garazh i hapur nëpërmjet të cilit kalohej në një ndërtesë 1-katëshe, e përshtatur dhe e mobiluar me pajisje zyre”, njoftoi SPAK.

Më herët vëllezërve Çopja nga Elbasani iu janë sekuestruar edhe një pikë agroturizmi dhe 10 milionë dollarë në kriptovaluta.

Franc Çopja është ekstraduar në Belgjikë ku ishte shpallur në kërkim për trafik droge. Ndërsa vëllai i tij Hajdar Çopja, i cili shfaqet në disa komunikime në “Sky Ecc” me të shumëkërkuarin Talo Çela që dyshohet si i paguar prej tyre për disa ngjarje kriminale, dyshohet se ndpdhet në Dubai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë