Nga Gazeta Si- Policia e Shtetit, në bashkëpunim me SPAK-un, ka zhvilluar fazën e parë të operacionit policor të koduar “Premtimi”, i cili synon parandalimin dhe goditjen e krimeve në fushën e zgjedhjeve.
Operacioni është ndërmarrë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH), Forcën e Posaçme Operacionale dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër.
Në bazë të një vendimi të datës 7 maj, lëshuar nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, u ekzekutuan kontrolle fizike dhe në automjete ndaj gjashtë personave: F. V., B. L., D. D., S. Z., B. H. dhe Z. D., banues në Shkodër, Bushat dhe Vau i Dejës.
Kontrollet u kryen në nëntë automjete, përfshirë automjete në pronësi të personave të sipërpërmendur, një automjet të OSHEE-së në përdorim nga një prej të kontrolluarve, si dhe mjete të tjera private.
Gjatë operacionit u sekuestruan shtatë celularë, dokumente të ndryshme, shumë parash në euro dhe lekë, si dhe tollona karburanti. Gjithashtu, u gjetën dhe sekuestruan lista me emra qytetarësh, që dyshohet se lidhen me veprimtari të paligjshme në kuadër të procesit zgjedhor.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.