Dy ekspertë pranë Institutit të Ndërtimit Tiranë akuzohen se në mënyrë të vazhdueshme kanë ndërhyrë kundrejt pagesës me qëllim rritjen e klasifikimit të nivelit të dëmeve të një banese që ishte shembur më parë si pasojë e shpronësimit për interes publik me kërkesë të OST-së.
Përmes një ryshfeti prej 2 mijë eurosh, dyshohet se ata kanë ndërhyrë që në dokumentet e Njësisë Administrative të Petrelës, të bëhej sikur banesa ishte prishur nga tërmeti me qëllim fitimin e grantit të Rindërtimit.
Me urdhër tëSPAK-ut, policia ka arrestuar ekspertin e IKMT-ë, Dhimitri Papa, ka lënë në ‘arrest shtëpie’ kolegun e tij, Kristaq Kali, ka arrestuar shtetasit Fatjon Haxhiu dhe Arlind Muxhiu, si dhe ka dhënë masën e detyrimit të paraqitjes për Sokol Kupin, administror i Petrelës.
Sipas SPAK, dy prej personave të arrestuar (qytetarë) kanë ndërhyrë tek punonjësit e Institutit të Ndërtimit, Njësisë Administrative Petrelë në varësi të Bashkisë Tiranë.
Qëllimi ishte ndryshimi i aktit të konstatimit fillestar dhe aktit të ekspertizës së thelluar për një banesë në pronësi të tyre, me qëllim rritjen e klasifikimit të nivelit të dëmeve, duke paguar për këtë akt, shumën prej 2000 (dymijë) euro, banesë që në fakt ishte prishur me parë nga IKMT-ja si pasojë e shpronësimit për interes publik me kërkesë të OST-së. Ata e kanë paraqitur atë si një banesë të dëmtuar nga tërmeti me qëllim për të përfituar nga granti i ri ndërtimit.
Në kryerjen e këtyre veprimeve, ata janë ndihmuar nga zyrtarë të Njësisë Administrative Petrelë, njësi e cila nuk ka vendosur eliminimin e subjektit, por ka përcjellë praktikën përkatëse për këtë subjekt pranë Bashkisë Tiranë, me qëllim përfitimin në fillim të grantit dhe më pas të lejes së ndërtimit. Për këtë shkak, SPAK ka kërkuar masën e sigurisë të detyrimit të paraqitjes dhe për administratorin e Petrelës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




