Drejtësia

SPAK e pezulloi se favorizoi vjehrrin, KLP shkarkon kryeprokurorin e Sarandës, Kledian Llaho

Gazeta Si – Kledian Llaho është shkarkuar nga detyra e kreut të Prokurorisë së Sarandës dhe për 3 muajt në vazhdim paga e tij do të ulet me 20% të shumës së zakonshme mujore.

Vendimi është marrë nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, pasi SPAK e kishte pezulluar Llahon nga detyra nën dyshimin se kishte kryer shkelje të rënda gjatë një procesi hetimor duke favorizuar vjehrrin e tij.

Më herët, Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë kishte konstatuar shkelje pas verifikimeve që pasuan ankesat e bëra nga qytetarët. Gjithashtu, në ankesat për Llahon kishte vërejtje edhe për sjelljen e tij ndaj kolegëve magjistratë.

Sipas hetimeve të SPAK, Llaho me veprimet dhe mosveprimet e tij ka kryer shkelje, pasi nuk zbatoi vendimin e gjykatës për thellim hetimesh në një çështje të caktuar me qëllim që të favorizonte vjehrrin e tij.

Aktualisht, ai nuk ushtron detyrën as si drejtues as si prokuror, për shkak se GJKKO e pezulloi nga detyra me akuzën e “korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë