Drejtësia

SPAK e akuzoi për blerje votash, babai i ish-kandidates së PSD në Fier dënohet me shërbim prove

Gazeta Si – GJKKO ka shpallur fajtorë për akuzën e korrupsionit zgjedhor aktiv dhe pasiv, Pandeli Bozhën babanë e ish-kandidates për deputete të PSD në Fier Limonera Bozha dhe një person tjetër, Vladimir Lushka, por ky dënim u konvertua në fund në shërbim prove dhe shuarje të vendimit.

70-vjeçari Bozha u dënua me 1 vit e 6 muaj burg, po për shkak të gjykimit të shkurtuar u bë 1 vit dhe si përfundim u kthye në shërbim prove. Fajtor u shpall edhe Lushka, por sipas GJKKO ky dënim shuhej, pa përcaktuar masën e tij.

Prokuroria e Posaçme kishte nisur hetimet prej vitit të kaluar, duke e dërguar dosjen në gjyq. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar.

Në fund u bë edhe sekuestrimi i provës materiale për llogari të shtetit, që ishte një kartmonedhë 2 mijë lekëshe që do përdorej për blerjen e votës.

Pandeli Bozha është babai i kandidates së PSD-së, Limonera Bozha, i cili u arrestua me urdhër të SPAK nga Policia për blerjen e votave për llogari të saj vitin e kaluar, për zgjedhjet e 11 majit 2025.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë