Nga Gazeta ‘Si’ – Prokuroria e Posaçme SPAK ka dorëzuar zyrtarisht për gjykim dosjen penale “Toyota Auris”.
Të pandehur janë katër persona, ish-kryeprokurori i Vlorës Aurel Zarka, ish-oficerja e policisë gjyqësore pranë ish-Prokurorisë për Krime të Rënda Erjona Daupaj, avokati Radovan Çela dhe Astrit Vladi.
Ndaj tyre rëndojnë akuzat e korrupsionit dhe ushtrimit të ndikimit të paligjshëm, si dhe nxjerrje të sekretit të hetimit.
Sipas prokurorisë të pandehurit në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë kërkuar dhe pranuar ryshfet për të ndikuar tek gjyqtarë e prokurorë që hetonin dhe gjykonin dosjen e 3.4 milion eurove që u bllokua në Portin e Durrësit, me qëllim që të favorizoheshin të pandehurit.
SPAK i akuzon po ashtu edhe për favorizim të Suel Çelës për t’i çliruar pasuritë e sekuestruara në kuadër të Operacionit Forca e Ligjit.
Hetimi nisi mbi bazën e të dhënave të Sky Ecc që SPAK iu vunë në dispozicion nga autoritetet franceze, ku mes të pandehurve u zbuluan komunikime për çështjet.
Gjatë hetimit, u pyet një numër i lartë gjyqtarësh e prokurorësh, si dhe njerëz të politikës, të cilët përmendeshin në komunikimet mes të pandehurve, por ndaj tyre nuk janë gjetur prova për t’i vënë nën akuzë.
Në përfundim, avokatëve iu la një afat 10 ditor për të paraqitur kundërshtimet e tyre lidhur me aktakuzën dhe prokuroria e përcolli më pas dosjen për gjykim.
Gjykata e Posaçme pritet ta hedhë tashmë dosjen në short për të përcaktuar gjyqtarin paraprake që do ta shqyrtojë atë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.