Gazeta Si – SPAK ka dërguar për gjykim ish-kryebashkiakun demokrat të Shkodrës, Bardh Spahia. Përmes një njoftimi, SPAK sqaron se Spahia akuzohet për kryerjen e veprës penale “Pengime për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës”.
Në kohën kur Spahia ishte kryebashkiak, ka liruar nga detyra administratorin e Ujësjellës Kanalizimeve dhe ka emëruar një tjetër.
Por kjo u ankimua nga personi i shkarkuar, i cili ngriti një padi dhe Gjykata e Shkodrës e pezulloi vendimin e Spahisë, deri në marrjen e vendimit të formës së prerë. Megjithatë, Spahia nuk e respektoi vendimin e gjykatës për rikthimin në punë të vartësit të tij në bashki, duke anashkaluar urdhrin gjyqësor.
Në bazë të hetimeve të kryera, rezulton se Spahia e ka kryer këtë vepër penale në kohën kur drejtonte bashkinë Shkodër e po ashtu ishte kryetar i Asamblesë së Përgjithshmë të Ujësjelljës Kanalizimeve.
Spahia mori drejtimin e Bashkisë Shkodër në mars 2022 pas zgjedhjeve të 6 marsit. Këtë detyrë e ushtroi deri në maj 2023, kur humbi përballë kundërshtarit të tij politik, Benet Beci.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



