Drejtësia

Grupi kriminal i mikrokredive shkon në gjyq, sekuestrohen llogari bankare rreth 420 mln lekë dhe 1.3 mln euro

Gazeta Si – SPAK ka mbyllur hetimet dhe ka çuar në gjyq dosjen ndaj një grupi të strukturuar kriminal prej 16 personash, si dhe 4 shoqëri financiare, të cilët dyshohet se mashtronin qytetarët përmes skemave të mikrokredive dhe mbledhjes së detyrimeve financiare.

Këto skema kanë zhvatur mijëra qytetarë përmes rifinancimeve me kushte të disfavorshme të kredive të vjetra ose përmes shantazhit, duke i bllokuar pronat e luajtshme dhe të paluajtshme.

Lidhur me këtë çështje, SPAK njofton se janë sekuestruar mbi 420 milionë lekë dhe rreth 1.3 milionë euro. Këto shuma monetare janë sekuestruar në llogari personale, depozita, bono thesari dhe letra me vlerë të të pandehurve.

SPAK akuzon të pandehurit për mashtrim me pasoja të rënda, falsifikim dokumentesh dhe pjesëmarrje në organizata kriminale që për vite me radhë kanë zhvatur qytetarët përmes skemave të ndërlikuara dhe abuzive të mikrokreditimit dhe përmbarimit privat.

Mes personave për gjykim, janë edhe dy drejtuesit e grupit, Elda Ibro dhe Arben Meskuti. Ndërsa Prokuroria e Posaçme kishte identifikuar si drejtues të grupit edhe Olsi Ibron, bashkëshorti i Elda Ibros, por ai humbi jetën pasi u hodh nga një pallat në muajin korrik të vitit 2024.

Hetimet kanë konkluduar se shoqëritë e përfshira në këtë skemë kanë vepruar si një entitet i vetëm, duke pasur karakteristika të qarta të një grupi kriminal të strukturuar.

Hetimet e SPAK-ut kanë zbuluar se të pandehurit dhe kompanitë e tyre vepronin si një entitet i vetëm me karakteristika të qarta të një grupi të strukturuar kriminal.

Aktiviteti i tyre i përbashkët përfshinte: Përdorim të përbashkët të zyrave dhe sistemeve kompjuterike, të krijuara për qëllime kriminale, kalimin e punonjësve nga një kompani në tjetrën, me rol në mbledhjen e detyrimeve “të këqija”, financim të ndërsjellë mes shoqërive, për të vazhduar aktivitetin kriminal.

Qëllimi kryesor i këtij rrjeti ishte pasurimi i paligjshëm përmes shumëfishimit të detyrimeve të qytetarëve, aplikimit të interesave përtej kufijve ligjorë (deri në 2% në ditë), dhe presionit të vazhdueshëm psikologjik dhe ligjor ndaj borxhlinjve dhe familjarëve të tyre.

“Për realizimin e qëllimit kriminal, punonjësit e këtyre shoqërive të urdhëruar nga drejtuesit apo organizatorët e kësaj skeme, kryen qindra mijëra njoftime të paligjshme dhe telefonata kërcënuese tek debitorët dhe familjarët e tyre, Dhjetëra – mijëra llogari bankare të qytetarëve u bllokuan dhe qëndruan të bllokuara në kundërshtim me ligjin për disa vite. Pasuri të paluajtshme u sekuestruan për vlera detyrimi minimale dhe u kaluan në pronësi të shoqërive MCA dhe Final me ankande fiktive. Përveç pasojave të kundraligjshme ekonomike, veprimtaria kriminale e këtij grupi të strukturuar kriminal, ka shkaktuar edhe pasoja shumë të rënda sociale.”- thuhet në njoftimin e SPAK-ut.

Arben Meskuti, i akuzuar për kryerjen e veprave penale: “Mashtrim me pasoja të rënda”, “Falsifikim i dokumentave”, “Grup i strukturuar kriminal”, në rolin e krijuesit, organizuesit dhe drejtuesit dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Elda Ibro, e akuzuar për kryerjen e veprave penale: “Mashtrim me pasoja të rënda”, “Falsifikim i dokumentave”, “Grup i strukturuar kriminal”, në rolin e ekzekutorit, dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”.

Alban Kote, i akuzuar për kryerjen e veprave penale: “Mashtrim me pasoja të rënda”, “Falsifikim i dokumentave”, kryer nga personi që ka për detyrë lëshimin e dokumentit, “Grup i strukturuar kriminal”, në rolin e ekzekutorit, dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Aldo Daka, i akuzuar për kryerjen e veprave penale: “Mashtrim me pasoja të rënda”, “Falsifikim i dokumentave”, “Grup i strukturuar kriminal”, në rolin e ekzekutorit, dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Albert Gega, i akuzuar për kryerjen e veprave penale: “Mashtrim me pasoja të rënda”, “Falsifikim i dokumentave”, “Grup i strukturuar kriminal”, në rolin e ekzekutorit, dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”.

Andis Gjoka, i akuzuar për kryerjen e veprave penale: “Mashtrim me pasoja të rënda”, “Falsifikim i dokumentave”, “Grup i strukturuar kriminal”, në rolin e ekzekutorit, dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë