Gazeta Si – SPAK, ka përfunduar hetimet për një rast korrupsioni zgjedhor të ndodhur gjatë zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021.
Dosja përfshin katër të pandehur: Ndoc Guri dhe Arben Kolaj, të cilët akuzohen për “Korrupsion pasiv në zgjedhje”, si dhe Ndrekë Lera dhe Ilir Sokoli, të akuzuar për “Korrupsion aktiv në zgjedhje” të kryer në bashkëpunim.
Në njoftimin për mediat, SPAK thotë se nga analiza e provave të grumbulluara në kuadër të këtij hetimi rezulton se gjatë zgjedhjeve parlamentare të datës 25 prill 2021, është konstatuar një skemë e qartë e korrupsionit zgjedhor, e cila përfshinte ofrimin e shpërblimeve monetare në këmbim të votës.
“Skema korruptive konsiston në një model të organizuar të blerjes së votës, ku individë të lidhur me një forcë politike kanë ofruar shuma të caktuara parash (rreth 5 000 lekë për votë) për qytetarë të ndryshëm, me qëllim sigurimin e mbështetjes elektorale. Kjo është realizuar ose përmes dhënies së drejtpërdrejtë të parave për votën e vet, ose përmes angazhimit të personave të tretë për të ndikuar te zgjedhës të tjerë”, thotë Prokuroria e Posaçme.
Gjatë hetimeve, janë përdorur mjete të posaçme të hetimit, përfshirë përgjime telefonike, të cilat kanë evidentuar se Ndrekë Lera ka pasur një rol qendror në këtë aktivitet kriminal, duke u përfshirë drejtpërdrejt në biseda që lidhen me premtimin dhe organizimin e pagesave për vota në favor të një subjekti politik.
“Për sa më lart, nga tërësia e hetimeve të kryera, bazuar në provat e marra gjatë hetimeve paraprake, transkriptimeve të përgjimeve telefonike, deklarimet e shtetasve të dyshuar si dhe pas studimit të dokumentacionit të administruar, rezulton se Ndreke Lera dhe Ilir Sokoli, me veprimet e tyre, kane konsumuar elementë të veprës penale penale “Korrupsion aktiv në zgjedhje” e kryer në bashkëpunim. Gjithashtu të pandehurit Ndoc Guri dhe Arben Kolaj kanë konsumuar elementet e veprës penale “Korrupsoni pasiv në zgjedhje”, thotë SPAK.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



