SPAK ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen kundër ish-drejtorit të burgut të Lushnjës dhe pesë personave të tjerë, zyrtarë të akuzuar për shkelje të barazisë në tenderë.
SPAK deklaron se Judmir Shurdhi, i cili ishte drejtor në vitin 2020, kur u zbulua shkelja ka shpërdoruar detyrën lidhur me zhvillimin e tenderit për transportin e punonjësve, pasi ka ngarkuar të njëjtët persona të jenë në cilësinë e anëtarit të Njësisë së prokurimit dhe Komisionit të vlerësimit të ofertave, ka miratuar shkeljet ligjore të kryera prej tyre, si në vitin 2018 ashtu edhe në vitin 2019, si dhe ka ushtruar presion për kualifikimin e një operatori që mori pjesë në garë.
Ndërkohë shtetasi Mariglen Myftari, në cilësinë e anëtarit të Njësisë së Prokurimit dhe të anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, në vitin 2019, ka kërkuar nga operatori ekonomik pjesëmarrës i vetëm në të dy procedurat e mësipërme të prokurimit, një shumë parash me qëllim shpalljen e tij fitues dhe në mungesë të dhënies së këtij përfitimi, ka proceduar me skualifikimin e tij.
Akuzat
Judmir Shurdhi, me cilësinë e titullarit të IEVP Lushnje, në kohën e ndodhjes së ngjarjeve, për kryerjen e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës’ dhe “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” kryer në bashkëpunim, parashikuar respektivisht nga nenet 248 dhe 258 e 25 të Kodit Penal
Mariglen Myftari, Erjon Çela, Miranda Idrizi, punonjës të IEVP Lushnje dhe Krenar Gozhina ish punonjes në IEVP Lushnje, për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258 e 25 i Kodit Penal;
Mariglen Myftari për veprën penale “Korrupsioni pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal;
Xhesika Kaja, për veprën penale “Moskallzimi i krimit” parashikuar nga neni 300 paragrafi i parë i Kodit Penal.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




