Gazeta Si – SPAK ka përgënjeshtruar pretendimet e publikuara në media se po përgjon, vëzhgon apo ka në objekt hetimi ndonjë prej anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Në reagimin për mediat, thuhet se asnjë prej anëtarëve të institucionit nuk është nën hetim dhe për rrjedhojë nuk është kryer asnjë veprim i pretenduar.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, çdo deklaratë e tillë bëhet në përpjekje për të keqinformuar publikun dhe për të dëmtuar SPAK-un.
SPAK sqaron se nuk ka kryer dhe nuk kryen asnjë veprim hetimor që synon të ndikojë apo intimidojë vendimmarrjen e KLP-së, dhe aq më pak të ndërhyjë në procese zgjedhore apo emërime të caktuara.
“Asnjë anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë nuk është objekt hetimi, vëzhgimi apo përgjimi nga Prokuroria e Posaçme. SPAK nuk kryen dhe nuk ka kryer asnjë veprim hetimor që synon drejtpërdrejtë apo tërthorazi, të ndikojë apo të intimidojë vendimmarrjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe aq më pak të ndërhyjë në procese të caktuara zgjedhore”, thuhet në reagimin e SPAK.
Sipas këtij institucioni, deklarimet e përhapura në disa media janë spekulim, pa lidhje me realitetin ligjor apo praktikën hetimore të institucionit.
SPAK nënvizon se çdo deklaratë që nuk mbështetet në fakte përbën një tentativë për dezinformim dhe dëmton integritetin e strukturës, “në përpjekje për të keqinformuar publikun dhe për të dëmtuar Strukturën së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”, përfundon SPAK.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



