Gazeta Si – SPAK ka caktuar masën e sigurisë “arrest shtëpie” për avokatin Besart Logu, pasi kishte marrë 8 mijë euro nga një klienti i tij italian me premtimin se do të ndikonte tek prokurorë dhe gjyqtarë të Tiranës në favor të tij për çështjen që ai akuzohej.
Prokurorja e Posaçme, Doloreza Musabelliu urdhëroi masë sigurie “arrest në shtëpi”, e cila u ekzekutua në orët e mëngjesit të kësaj të mërkure në zyrën e tij, për ushtrim të ndikimit të paligjshëm.
Përmes një njoftimi, SPAK bën të ditur se vendimi është marrë pas një operacioni të zhvilluar nga oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), të cilët po kryejnë kontrolle në disa ambiente, përfshirë edhe zyrën e avokatit.
Vetë avokati Logu, në një reagim publik mohoi akuzat dhe tha se nuk është përfshirë në asnjë rast korrupsioni.
“Në lidhje me rastin konkret, nuk jam përfshirë në asnjë episod korrupsioni apo akti të paligjshëm. Kam bërë vetëm punën e avokatit, si në ngritjen e mbrojtjes ashtu edhe në takime me familjarë e të njohur të klientit qofshin këto edhe agjentë të infiltruar. Jam në gjendje të provoj çdo akt timin dhe t’i dal për zot të gjitha pretendimeve që ka ngritur Prokuroria. Kjo sepse nuk ka ndonjë gjë të re përveçse përditshmërisë së një avokati”, shkruan Logu.
Avokati tregon se në momentin kur oficerët e BKH-së zbarkuan për ti komunikuar masën e arrestit në shtëpi, ishte në hyrjen e pallatit dhe po çonte vajzën në kopësht.
Ai theksoi se akuzat ndaj tij nuk kanë asnjë bazë, duke shtuar se po tentohet të kriminalizohet sjellja dhe puna e avokatëve.
Me humor, ai kujtoi edhe një skeç të aktorit Fadil Hasa, duke thënë: “Kur isha para agjentëve të Policisë, m’u kujtua skeçi ku prokuroria politike e kohës i komunikonte akuzat dhe ai fliste me vete: ‘Sa i rrezikshëm paskam qenë!’”.
Klienti i përfaqësuar nga Logu ishte i proceduar dhe në gjykim për skema mashtruese me TVSH-në dhe do i jepte 8 mijë euro me qëllim që ai të ndikonte te gjyqatrët për t’i lehtësuar masën e sigurisë.
Ishte vetë klienti italian ai që ka bërë denoncimin, ndërsa çështja e tij ka qenë e regjistruar fillimisht në Prokurorinë e Gjirokastrës dhe më pas u transferua në Tiranë.
Megjithatë. deri tani është një çështje në hetim, për të cilën ende nuk ka një informacion zyrtar nga SPAK. Avokati Logu ka edhe studion e tij ligjore ‘Logu’, ndërkohë që më herët ka qenë anëtar i Këshillit Kombëtar të PD. Ai njihet edhe për daljet e tij televizive dhe i atashuar pranë Partisë Demokratike.
Pritet që në vijim SPAK të zbardhë detaje të tjera mbi arrestin ndaj Logut dhe veprën penale për të cilën po hetohet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



