Gazeta Si – Gjykata e Posaçme e Apelit ka shtyrë për në 8 maj shqyrtimin e ankimit të SPAK kundër vendimit, që detyron Strukturën e Posaçme të regjistrojë hetim ndaj ish-ministres socialiste Olta Xhaçka dhe bashkëshortit të aj, Artan Gaçi.
Prokuroria e Posaçme kundërshtoi vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, e cila më 1 prill 2025 urdhëroi regjistrimin e kallëzimit penal dhe nisjen e hetimeve ndaj çiftit, në lidhje me ndërtimin e një resorti buzë detit, shpallur më herët nga qeveria si “investim strategjik”.
Prokuroria e Posaçme thotë se ka kryer veprime të shumta hetimore, të cilat kanë konsistuar ndër të tjera edhe në veprimtarinë e kryer nga Artan Gaçi në kuadër të bashkëpunimit të supozuar apo dhe qoftë dijenisë së tij rreth ekzistencës së dokumenteve të falsifikuara, nëpërmjet të cilëve është përfituar edhe toka e llojit truall.
Organi i akuzës ndër të tjera sqaron se asnjë e dhënë e sipërfaqeve konkrete nuk ka rezultuar në lidhje me përfitimin e trojeve të sekuestruara apo konfiksuara për shkak të detyrës që ushtronte në atë periudhë subjekti i posaçëm Olta Xhaçka.
Në ankimin që SPAK ka depozituar në Shkallën e Dytë të gjyqësorit, thotë se çështja e hetuar më herët nga prokuroria ka kaluar në filtrin e Gjykatës së Posaçme gjatë gjykimit të çështjes penale nr 189/2023 në seancë paraprake.
Madje, shton prokurori Olsi Dado, Gjykata e Posaçme ka ushtruar kontroll juridiksional, duke vendosur kalimin e dosjes ndaj Jorgo Goro për gjykim, duke pranuar kërkesën e prokurorisë, pasi ka çmuar se provat ishin të mjaftueshme për mbështetjen e akuzës.
Sipas Dados, Gjykata nuk ka gjetur asnjë shkak, veçanërisht nga ato që ankuesi, Fredi Beleri parashtron, për të konkluduar se hetimet paraprake nuk ishin të plota, duke urdhëruar për pasojë plotësimin e tyre.
Në vendimin e arsyetuar të prokurorisë për mosfillim të hetimeve, sqarohet se procedimit penal ndaj Jorgo Goros nuk i ka munguar kontrolli giyqësor, qoftë gjatë hetimit paraprak apo edhe gjatë gjykimit në seancë paraprake.
Prokuroria e Posaçme shprehet se vendimi i GJKKO është i pambështetur në ligj dhe në prova i cënueshëm dhe si i tillë duhet të ndryshohet në tërësinë e tij.
Në 28 shkurt, GJKKO urdhëroi SPAK të hetojë Artan Gaçin për kryerjen e veprave penale “Falsifikimi i dokumentave”, “pastrim parash” kryer në bashkëpunim dhe Xhaçkën për “shpërdorim detyre”.
Vendimi i gjykatës erdhi pas ankimit të bërë nga ish kryebashkiaku i Himarës, Fredi Beleri, i cili kërkoi të hetohej Xhaçka dhe bashkëshorti i saj, lidhur me kallëzimin që ai më herët depozutoi për Jorgo Goron, i cili mbahet në burg që prej marsit të vitit 2023.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.