Raketa më e fuqishme e zhvilluar ndonjëherë është gati të lëshohet në hapësirë. E njohur si Starship, raketa është ndërtuar nga kompania SpaceX e sipërmarrësit amerikan, Elon Musk. Është pothuajse 120 metra e lartë dhe ka gati dyfishin e vrullit të çdo rakete tjetër në histori.
Raketa pa ekuipazh do të niset nga një bazë në Teksas të Shteteve të Bashkuara. Synimi është që ajo të fluturojë në drejtim të lindjes dhe të përfundojë një qark të globit për rreth 150 minuta.
Starship pritet të niset të hënën mes orës 09:00 deri në 10:30.
Musk ka apeluar te të gjithë që të mos kenë pritshmëri të mëdha pasi ekziston mundësia që të ketë ndonjë problem dhe mos të niset.
“Është lëshimi i parë i një rakete shumë të komplikuar, gjigante, kështu që mund të mos lëshohet. Ne do të jemi shumë të kujdesshëm dhe nëse shohim ndonjë gjë që na shqetëson, do ta shtyjmë ngjarjen”, ka thënë Musk.
Kjo do të jetë përpjekja e parë e SpaceX për të nisur një raketë të montuar plotësisht, duke u mbështetur në një fushatë testimi shumëvjeçare.
Musk ka folur për Starship duke bërë prezantime të hollësishme rreth dizajnit dhe qëllimit të tij për gjysmë dekade. Madje Musk ka thënë se qëllimi i tij i vetëm për themelimin e SpaceX ishte të zhvillonte një raketë si Starship që mund të krijonte një vendbanim njerëzor në Mars.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.