Ekonomi

S&P konfirmon vlerësimin në “B+”, performancë e ulët me të ardhurat

Agjencia ndërkombëtare e vlerësimit Standard & Poor’s (S&P) në vlerësimin më të fundit të saj konfirmon për Shqipërinë vlerësimin aktual në “B+” si dhe me perspektivë “të qëndrueshme”.

“Pritshmëritë e S&P mbi zhvillimet e qëndrueshme të ekonomisë në periudhën afat-mesme mbeten pozitive, duke vlerësuar reformat dhe menaxhimin e financave publike shqiptare. Agjenda e reformave të qeverisë do të vazhdojë në përmirësim të jetës së qytetarëve dhe klimës së biznesit në vend”- shkruan ministrja për Ekonominë dhe Financave Anila Denaj në llogarinë e saj në Facebook.

Agjensia vlerëson se në vitin 2019 deficiti buxhetor ishte në përputhje të plotë me targetin prej 1.9% të PBB, pavarësisht se u godit nga një tërmet në tremujorin e fundit. Zgjerim i deficitit në 2019 krahasuar me atë të vitit 2018 (1.6%), reflekton edhe rimbursimin e TVSH dhe një performancë më të ulët se sa plani i të ardhurave neto nga taksat.

Raporti e vë theksin gjithashtu edhe në nevojën për kryerjen e reformave strukturore dhe tërheqjen e investimeve. “Është kritike që reformat strukturore të përmirësojnë ambientin e biznesit dhe të tërheqin investimet e huaja, në mënyrë që të rritet në mënyrë të qëndrueshme niveli i të ardhurave afër mesatares rajonale dhe europiane”, citon raporti.
Agjensia pret një rritje të përkohshme të deficitit në vitin 2020 në nivelin 2.2% të PBB, duke qenë se qeveria do punojë intensivisht për ri-ndërtimin pas tërmetit, si dhe njëkohësisht do të vijojë me pastrimin e detyrimeve të prapambetura.

Në vitet më tej, agjensia projekton që deficiti buxhetor do të vijojë të reduktohet gradualisht përgjatë horizontit kohor afatmesëm. S&P projekton se borxhi publik neto do të bjerë poshtë nivelit prej 60% të PBB deri në vitin 2022, në ndjekje të rregullit fiskal më afatgjatë të përcaktuar në ligjin organik të buxhetit për reduktimin e borxhit publik poshtë nivelit prej 45% të PBB. Në këtë aspekt, ecuria mund të jetë edhe më e mirë në sajë të përpjekjeve të autoriteteve për të përmirësuar administrimin e mbledhjes së të ardhurave.

Agjensia vlerëson se autoritetet po vijojnë përpjekjet aktive për të përmirësuar profilin e borxhit publik, për të vijuar rritjen e maturitetit të tij, ulur risqet e rifinancimit dhe ato të kursit të këmbimit. Në këtë aspekt, edhe pse agjensia nuk sheh ndonjë pengesë për huamarrje të sektorit publik në tregun e brendshëm, vlerëson dhe pret që qeveria do vijojë të shohë për mundësi më të mira për të marrë hua në tregjet e huaja të cilat ofrojnë maturitete afat-gjatë.

Agjenda e reformave të qeverisë do të vazhdojë për të siguruar qëndrueshmëri ekonomike, përmirësim të jetës së qytetarëve dhe klimës së biznesit në vend.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë