Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj përmes një postimi në Facebook njoftoi se Agjencia Standard & Poor’s ka konfirmuar vlerësimin “B+” për ekonominë shqiptare, të shoqëruar nga një perspektivë “të qëndrueshme”.
Në rishikimin më të fundit (9 dhjetor 2022), agjencia parashikon se rritja ekonomike pas uljes do të nisë të rikuperohet në një mesatare prej 3.4% në 2024-2025, duke u treguar elastike ndaj rrymave të kundërta globale dhe kërkesës më të dobët nga Evropa.
Ibrahimaj shton se “agjencia vlerëson se Shqipëria do të vazhdojë të menaxhojë rreziqet nga konflikti Ukrainë-Rusi, ndërsa rritja ekonomike e moderuar do të mbështetet edhe nga fleksibiliteti monetar, kursi i lirë i këmbimit dhe rezervat valutore relativisht të larta”.
Në vlerësimin e saj, agjencia thekson se pavarësisht shtrëngimit të kushteve financiare globale, konfliktit Rusi-Ukrainë dhe ngadalësimit të aktivitetit ekonomik botëror, leku shqiptar (që ndjek një regjim të kursit të lirë të këmbimit) është mbiçmuar ndaj euros.
“Stabiliteti i lekut ka ulur presionin mbi financat publike dhe sistemin bankar vendas. Flukset e huaja neto hyrëse të forta të kanë forcuar rezervat valutore të huaja. Agjencia konstaton pozitivisht përpjekjet e BSH-së për akumulimin e rezervave.
Agjencia parashikon që deficiti i llogarisë korente të zgjerohet në 8.3% të PBB-së në vitin 2022, nga 7.7% në 2021, kryesisht për shkak të rritjes së importeve të energjisë dhe lëndëve të para.
Megjithatë, këto importe pritet të kompensohen disi nga një rritje në remitancat e emigrantëve dhe eksportet e shërbimeve, në veçanti të ardhurat nga turizmi”, vlerëson ajo.
Sektori bankar i Shqipërisë sipas vlerësimit të S&P vlerësohet likuid, i mirëkapitalizuar dhe fitimprurës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



