Euro 2020

Southgejt ndez finalen: Italia ekip i madh, do jetë një ndeshje epike

Pas 4 gjysmëfinaleve të humbura mes Botërorëve dhe Europianëve, Anglia kthehet në një finale pas më shumë se gjysmë shekulli. Më 11 korrik do të ndeshet me Italinë për trofeun e Euro 2020. Një revansh personal për trajnerin Gereth Southgejt, fajtor në penalltinë që u kushtoi eliminimin “Tre Luanëve” në Europianin e 1996-ës.

“Jam shumë krenar për lojtarët e mi, – tha trajneri pas ndeshjes. – E dinim që nuk do të ishte e lehtë dhe kështu ndodhi. Pas fitores së thellë me Ukrainën, u kisha thënë djemve se herët a vonë do të na duhej të vuanim pak, ndoshta edhe duke përmbysur rezultatin. Nuk kam pasur kurrë dyshime te skuadra, e ndjeja se do t’ia dilnim. Danimarka gjithmonë është nënvlerësuar, unë e konsideroj një skuadër të madhe dhe kjo është një meritë më shumë për lojtarët e mi, shumë prej të cilëve kanë një eksperiencë të limituar ndërkombëtare”.

Dhe tani akti i fundit ndaj Italisë më 11 korrik në “Wembley”. “Më e bukura e kësaj mbrëmjeje është se u kemi dhuruar tifozëve tanë dhe gjithë vendit diçka fantastike, emocione që do të zgjasin për 4 ditë. Italia? Ka dy vjet që po tregon vlera të mëdha. Kanë mbrojtës që janë luftëtarë të vërtetë, por e gjithë skuadra është e fortë. Do të jetë një ndeshje epike. Ne duam të shkruajmë historinë, e kam thënë gjithmonë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë