Drejtësia

Sot zgjidhet kreu i ri i SPAK. Cilët janë 4 kandidatët në garë? (profilet)

Gazeta Si – Këtë të enjte, 11 dhjetor 2025, Këshilli i Lartë i Prokurorisë mblidhet në orën 09:00 për të zgjedhur pasuesin e Altin Dumanit në krye të Prokurorisë së Posaçme (SPAK).

Mbledhja do të jetë e hapur për mediat ndërsa të pranishëm do të jenë edhe përfaqësues nga Prokurori i Përgjithshëm, ministria e Drejtësisë, Projekti Eu4Justice dhe Programi OPDAT.

Në garë për kreun e ri të SPAK janë 4 kandidatë: Doloreza Musabelliu, Adnand Xholi, Elvin Gogaj dhe Klodian Braho. Kjo është hera e parë që një grua kandidon për të qenë drejtuese të SPAK. Katër kandidatët do të paraqesin platformat e tyre për drejtimin e institucionit dhe më pas do të votohet për emrin e ri të drejtuesit.

Ndërkohë, dje, një ditë para mbledhjes së SPAK, SHBA vlerësoi punën e Altin Dumanit pas një takimi që pati me zyrtarin e DASH, zv.drejtorin për Çështjet e Europës Perëndimore Qendrore, Lyn Debevoise.

Në vlerësimin e bërë, theksohet puna e Dumanit në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, duke theksuar se ai vendosi standardin e bashkëpunimit mes dy vendeve.

Delegacioni i BE në Tiranë dhe ambasada e Britanisë së Madhe bënë thirrje që gara të zhvillohet në mënyrë të drejtë dhe transparente, ndërsa mesazhi i tyre ishte për të përzgjedhur një kandidat i pavarur, profesionist dhe i përkushtuar ndaj standardeve më të mira të BE-së”.

Drejtuesi i ri do të ketë një mandat 3 vjeçar pa të drejtë rizgjedhje. Të gjithë kandidatëve së bashku me kreun aktual, Altin Dumani, u përfundon mandati në SPAK në fundin e 2028-ës dhe Kuvendi ende nuk ka miratuar një ndryshim sa i takon mundësisë së tyre për të rikandiduar për të qenë pjesë e SPAK.

Mandati i Dumanit si kryeprokuror i posaçëm përfundon zyrtarisht më 18 dhjetor të këtij viti, më pas ai do të vijojë të jetë prokuror në SPAK edhe për 3 vite.

Katër kandidatët sjellin profile të ndryshme dhe eksperienca të thelluara në hetimet më të rëndësishme të SPAK-së, ndërsa gara për postin e kreut të ri pritet me interes të lartë nga publiku dhe partnerët ndërkombëtarë.

Adnan Xholi

Adnan Xholi, i emëruar në vitin 2004, është një ndër emrat më me përvojë në garë. Aktualisht ai drejton Seksionin e Krimit të Organizuar në SPAK dhe ka një histori të gjatë hetimesh ndaj grupeve kriminale dhe rasteve korruptive. Xholi kandidon për herë të dytë për postin e kreut të SPAK-ut, pasi ishte në garë edhe në vitin 2022, kur u zgjodh Altin Dumani. Ndër hetimet e rëndësishme të tij përfshihet çështja e korrupsionit zgjedhor ndaj Fredi Belerit, si edhe zbardhja e atentatit ndaj ish-prokurorit Arian Ndoja në vitin 2019, dosje që solli më pas hapjen e hetimeve të tjera të mëdha, falë dekriptimit të komunikimeve në SkyEÇ.

Doloreza Musabelliu

Doloreza Musabelliu, e emëruar në vitin 2004, është prokurore e SPAK-ut me një rol të rëndësishëm në hetimin e çështjeve komplekse. Ajo ka qenë pjesë e grupit të prokurorëve të dosjes së njohur “Plumbi i Artë”, ku bashkëpunëtorë të drejtësisë zbuluan dhjetëra krime të ndodhura ndër vite. Ndër hetimet e saj më të rëndësishme është edhe masakra e vitit 2017 në qendër të Lushnjës, ku ajo kërkoi dënimin me burgim të përjetshëm për të pandehurit.

Elvin Gokaj

Elvin Gokaj, me karrierë të nisur në dhjetor 2000, është një tjetër kandidat me eksperiencë të gjerë në hetimet e nivelit të lartë. Ai ka qenë i përfshirë në disa dosje të rëndësishme të SPAK, përfshirë çështjen “Buka”, ku u mor i pandehur ish-ministri Arben Ahmetaj. Gokaj ka hetuar gjithashtu kreun e Komisionit të Prokurimeve Publike, Jonaid Myzyraj, dhe disa zyrtarë të tjerë të përfshirë në abuzime me tenderë, në një dosje me vlerë miliona euro që lidhej me mirëmbajtjen e një aksi rrugor.

Klodian Braho

Prokurori Klodian Braho, pjesë e sistemit të drejtësisë që prej vitit 2007, është një nga figurat kryesore të SPAK. Ai drejton Seksionin e Korrupsionit dhe është autor i hetimeve ndaj disa prej dosjeve më të rëndësishme të viteve të fundit. Braho ka hetuar çështjen e inceneratorit të Elbasanit, për të cilën lëshoi urdhër-arreste për persona të përfshirë në skemën korruptive, si dhe ndau hetimin për ish-zv/kryeministrin Arben Ahmetaj. Mes çështjeve të tjera të rëndësishme janë dosja “5D”, ku u dërguan në gjyq ish-zyrtarë të Bashkisë së Tiranës, si dhe “Toyota Auris”, një dosje që vijon të hetohet në disa pista. Ai është gjithashtu pjesë e grupit të prokurorëve që ngritën akuzën për ish-ministrin Fatmir Mediu në lidhje me tragjedinë e Gërdecit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë