Turqia aktualisht po përjeton garën më të paqartë zgjedhore në dekadat e fundit, pasi dy kandidatët për president, Recep Tayyip Erdogan dhe Kemal Kilicdaroglu, janë shumë afër në sondazhe, megjithëse përfaqësojnë dy botë krejtësisht të kundërta.
Këto janë konsideruar si votimet më të rëndësishme në historinë moderne 100-vjeçare të shtetit, pasi ose mund ta rrëzojnë nga pushteti presidentin Recep Tayyip Erdogan dhe t’i japin fund rrugës gjithnjë e më autoritare të Qeverisë së tij, ose do t’i mundësojnë që të hyjë në dekadën e tretë në pushtet.
Pas mbylljes së vendvotimeve, zyrtarët zgjedhorë kanë nisur procesin e numërimit të votave.
Presidenti aktual, 69-vjeçari Rexhep Tajip Erdogan ka qenë në pushtet për më shumë se 20 vjet dhe aktualisht po përjeton sfidën më të madhe politike të karrierës së tij duke pasur përballë një prej kundërshtarëve më të fortë nga ana e opozitës.
Në deklaratë për mediat pas votimit, Erdogan është shprehur se është shumë e rëndësishme që të gjithë votuesit të shfrytëzojnë të drejtën e votës pa asnjë shqetësim, për të treguar fuqinë e demokracisë turke.
Sëbashku me bashkëshorten e tij Emine Erdoğan, ata votuan në kutinë e votimit 3279 në shkollën “Saffet Çebi”.
Duke theksuar rëndësinë e mbarëvajtjes së procesit të votimit edhe në zonat e goditura nga tërmeti, presidenti Erdoğan u shpreh: “Qytetarët tanë në zonën e tërmetit po votojnë me entuziazëm dhe dashuri të madhe. Deri më tani atje nuk ka ndonjë problem. Shpresoj që pas numërimit në mbrëmje, t‘i lutemi Krijuesit për një të ardhme më të mirë për vendin tonë, kombin tonë dhe demokracinë turke”.
“Është shumë e rëndësishme që të gjithë votuesit të votojnë pa asnjë shqetësim deri në orën 17.00, për të treguar fuqinë e demokracisë turke”, tha Erdoğan, duke shtuar se rezultatet e zgjedhjeve do t’i ndjekë nga Stambolli.
Këto zgjedhje jo vetëm që përcaktojnë se kush do ta udhëheqë Turqinë – shtetin anëtar të NATO-s me 85 milionë banorë – por edhe si do të udhëhiqet shteti, cilin drejtim do të marrë ekonomia e cila është goditur nga kriza e kostos së jetesës, dhe do të formësojë politikën e jashtme.
Sondazhet i kanë dhënë kundërkandidatit kryesor të Erdoganit, Kemal Kilicdaroglut, avantazh të lehtë. Ai është kandidat i aleancës të përbërë nga gjashtë parti opozitare. Megjithatë, nëse asnjëri kandidat nuk arrin të fitojë mbi 50 për qind të votave, rundi i balotazhit për zgjedhjet presidenciale do të mbahet më 28 maj.
Në garë për president ishte edhe ultra-nacionalisti Sinan Ogan, ndërkaq ish-bashkëpartiaku i Kilicdaroglut nga partia e qendrës së majtë, Muharrem Ince, u tërhoq nga gara disa ditë para votimeve.
Ajo që ka ndryshuar në këto vite është se për herë të parë gjashtë parti opozitare kanë bashkuar forcat për zgjedhjet e sotme presidenciale dhe parlamentare, duke zgjedhur liderin e opozitës Kemal Kilicdaroglu si kandidat të aleancës së tyre.
Bashkimi i forcave opozitare u shkaktua për shkak të akuzave se Turqia është bërë gjithnjë e më autoritare nën Presidentin Erdogan dhe opozita kërkon të vendosë një pengesë për shndërrimin e vendit në një “autokraci parlamentare”.
Në të njëjtën kohë, presidenti turk duket i pambrojtur, me Turqinë që po përballet me një inflacion të lartë, pas tronditjes së fortë, sociale dhe ekonomike, nga tërmetet e dyfishta që lanë 50 mijë të vdekur.

Në këtë peizazh, çdo kandidat presidencial që mund të sigurojë më shumë se gjysmën e votave (50% plus 1) në zgjedhjet e sotme presidenciale do të jetë fituesi absolut.
Ndryshe, “ndeshja” do të zhvendoset në raundin e dytë dy javë më vonë, më 28 maj.
Në bazë të përllogaritjeve, 64.1 milionë turq kanë të drejtën e votës, brenda dhe jashtë vendit.
Duhet theksuar se Partia Zhvillim dhe Drejtësi (AKP) e themeluar nga Erdogan ka qenë në pushtet që nga nëntori i vitit 2002 dhe ka qeverisur Turqinë që nga viti 2003.
Rezultati i kësaj është se brezi i ri, një grup prej pesë milionë votuesish që ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar për herë të parë në këto zgjedhje, nuk ka përjetuar asnjë lider tjetër.
Dhe kjo sepse, Rexhep Tajip Erdogan ishte fillimisht kryeministër, por më pas u zgjodh president në vitin 2014, duke u rritur edhe më shumë.
Në këto zgjedhje është raportuar pjesëmarrje e lartë në votime, çka analistët e komentojnë me dëshirën e turqve për të ndryshuar kurs. Gjithashtu, edhe të dy kandidatët, si Presidenti Erdogan dhe kandidati kryesor kundërshtar i tij, Kemal Kilicdaroglu i cilësojnë këto zgjedhje si shumë të rëndësishme për historinë e vendit.
Përmes një serie ndryshimesh ligjore, Erdogan ka forcuar pushtetin e Presidentit duke marrë fuqi ekzekutive, të cilat i mundësojnë atij të qeverisë përmes dekreteve.
Kritikët thonë se shkak kryesor në dështimin e qeverisë turke për të reaguar ndaj tërmetit të muajit shkurt ishte pikërisht përqendrimi i pushtetit në duart e tij, por Erdogan i ka mohuar akuzat. Tërmeti i shkurtit shkaktoi më shumë se sa 50 mijë të vdekur.
Shumë nga provincat që u goditën nga tërmetet kanë shprehur zemërim lidhur me përgjigjen e Qeverisë.
Votuesit kurdë, që janë diku 15-20 për qind e elektoratit, kanë rol kyç në zgjedhje dhe ka të ngjarë që aleanca opozitare nuk do të mund të fitojë e vetme shumicën parlamentare.
Partia pro-kurde, Partia Demokratike Popullore (HDP) nuk është pjesë e bllokut opozitar, por ky subjekt kundërshton fuqishëm Erdoganin, pas përndjekjes së anëtarëve të kësaj partie që kanë bërë autoritetet për vite me radhë.
Votuesit në Turqi po ashtu votuan për përbërjen e re të Parlamentit prej 600 ulësesh. Gara për Parlament pritet të jetë mes koalicionit Aleanca e Popullit që përbëhet nga partia konservatore e Erdoganit, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) dhe parti të tjera nacionaliste, dhe aleancës opozitare të Kicidaroglut, Aleanca Kombëtare. Në krahun opozitar bën pjesë partia sekulariste, Partia Popullore Republikane (CHP), që ishte krijuar nga themeluesi i Turqisë, Mustafa Kemal Ataturk.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



