Nga Gazeta Si- Rikthehet mbrëmjen e sotme Europa League me shumë ndeshje interesante të luftuara dhe nga ku pritet të vendosen më shumë se sa thjesht tre pikët e fitores. Një e tillë është ndeshja e Manchester United që luan sot në mbrëmje në Portugali përballë Portos, një ndeshje prej së cilët do të varet e ardhmja e Erik Ten Hag.
Forma e dobët e treguar nga “Djajtë e kuq” gjatë kësaj faze nuk ka kaluar pa kritika dhe pasojat mund të jenë të rënda për teknikun holandez.
“Djajtë e kuq” kanë nga ana e tyre një statistikë pozitive të krijuar me ekipet luzitane. Për herë të fundit Junajtid është mundur nga një ekip portugez në dhjetor të 2005-ës kur u mposhtën nga Benfika 2-1. Që prej atij takimi ata janë ndeshur plot 12 herë me skuadrat portugeze duke fituar 9 takime e barazuar tre.
Gjithashtu në këtë mbrëmje do të zbresë në fushë sërish Rangersi i Nedim Bajramit. Futbollisti i kombëtares kuqezi ka fituar shumë shpejtë zemrat e tifozëve skocez dhe ka gjetur golin e shpejtë, për vetëm 55 sekonda në ndeshjen e parë me ta në Europë, javën e shkuar përballë Malmos. Sot do të presin një emër të madh të futbollit francez si Lyoni që vjen gjithashtu pas një fitoreje në ndeshjen e parë ndaj Olympiacos.
Të tjerë futbollistë shqiptarë në këtë mbrëmje të madhe europiane do të jenë ata të Beshiktashit, Ernest Muçi, i rikthyer në kombëtare në këtë grumbullim dhe Milot Rashica. Futbollisti kuqezi u aktivizua në formacion në ndeshjen e fundjavës që skuadra e tij fitoi përballë Konyasport me shifrat 3-0, ndërkohë që në debutimin e tyre në Europa League Beshiktashi u mund me shifrat 4-0 ku Muçi nuk u aktivizua. Këtë mbrëmje në Stamboll ata do të presin gjermanët e Eintrahtit të Frankfurtit, një skuadër që ka dalë me një pikë nga ndeshja e parë të cilën e barazoi 3-3 me Viktoria Plzen.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.