Drejtësia

Dosja ‘Partizani’ kalon për gjykim pas 7 muajsh, Sali Berisha dhe dhëndri i tij në akuzë

Gazeta Si – Pas 7 muajsh shqyrtim paraprak, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Kri mit të Organizuar kaloi për gjykim dosjen e ish-kompleksit sportiv “Partizani”, ku të pandehur janë edhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.

Vendimi u mor këtë të premte nga gjyqtarja Fjorela Davidhi, duke i hapur rrugën zhvillimit të gjykimit për akuzat që lidhen me një aferë të dyshuar korruptive, ku u ndërtuan 19 kulla në truallin e ish-klubit sportiv “Partizani”.

“Rama përmes agjencisë së tij, GJKKO e realizoi edhe këtë fazë paraprake për ta dërguar çështjen në gjyq”, tha avokati Gjokutaj.

Në vendimin e saj, gjyqtarja Davidhi pranoi kërkesën e SPAK për të gjykuar Sali Berishën për “korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë, ose të zgjedhurve vendorë”, dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi dhe biznesmenin Fatmir Bektashi për “korrupsion” dhe “pastrim të parave”, ndërsa të pandehurit Xhimi Begeja, Andia Pustina dhe tre shoqëri tregtare për “pastrim të parave”.

Në seancën e fundit, avokatët e të pandehurve kërkuan shfuqizim të vendimeve të marra nga gjyqtarja Irena Gjoka për llogari të këtij hetimi, me pretendimin se nuk ishte në kushtet ligjore për të qenë gjyqtare, e po ashtu përsëritën pretendimet e tyre për pavlefshmëri të akteve, kërkesa që u refuzuan.

Gjatë shqyrtimit paraprak, ish-kryeministri Berisha dhe të bashkëpandehurit nuk shfaqën kërkesën e gjykimit të shkurtuar, çka do të thotë që shqyrtimi i çështjes ndaj tij në themel do t’i nënshtrohet gjykimit të zakonshëm.

“Ne nuk e kemi kërkuar gjykimin e shkurtuar për dy arsye. E para, që mungon fakti penal. Nuk kemi çfarë të shkurtojnë apo zgjasim dhe kjo është themeli i mbrojtjes. E dyta, në momentin kur ne konstatojnë akte të pavlefshme dhe të papërdorshme gjykimi i shkurtuar, automatikisht është i rrëzuar, sepse nuk mundet të pranosh gjendjen e akteve me akte të pavlefshme apo të papërdorshme në të”, tha avokati Gjokutaj.

SPAK e akuzon Berishën se, gjatë kohës që ishte kryeministër, ka përdorur funksionin e tij për të favorizuar dhëndrin Jamarbër Malltezi, në procesin e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”.

Sipas SPAK, ky privatizim është bërë në mënyrë të parregullt dhe me ndikim të paligjshëm nga Berisha, duke sjellë përfitime të padrejta për Malltezin dhe dëm ekonomik për shtetin. Berisha i ka cilësuar akuzat si politike dhe të motivuara nga kryeministri Edi Rama.

Ai ka deklaruar se është një i përndjekur politik dhe se po sulmohet për shkak të rolit të tij opozitar. Edhe dhëndri i Sali Berishës i ka quajtur akuzat “sulme politike”.

Më herët ditën e sotme, gjykata rrëzoi kërkesën e avokatëve të Sali Berishës për të shpallur të pavlefshme vendimet e gjyqtares Irena Gjoka.

Ata pretendojnë se ajo ka fshehur një vendim të Gjykatës së Janinës që e ka dënuar atë e për pasojë edhe vendimet e saj nuk janë të vlefshme.

Para dy javësh, Berisha publikoi një dokument që tha se tregon dënimin në vitin 2005 të gjyqtares Irena Gjoka.

Sipas Berishës, fshehja e këtij dënimi në formularin e dekriminalizimit nga gjyqtarja Gjoka e bën të pavlefshëm çdo vendim të saj.

Por kjo nuk ishte hera e parë që mbrojtësit e Berishës kërkonin përjashtimin e Gjokës nga çështja e tij. Gjykata e Posaçme e Apelit vendosi edhe asokohe rrëzimin e kërkesës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë