Drejtësia

Shtyhet për më 12 dhjetor seanca ndaj Veliajt, ish-deputetja Klotilda Bushka kërkon pushim të çështjes

Nga Gazeta ‘Si’- Gjykata e Posaçme shtyn për më 12 dhjetor procesin gjyqësor të shqyrtimit paraprak ndaj Erion Veliajt dhe të bashkëpandehurve, të akuzuar për korrupsion dhe pastrim parash.

Në këtë datë, pritet të shihet nëse çështja kalon ose jo për gjykim ndaj kryebashkiakut, i cili ndodhet në paraburgimin e Durrësit prej datës 10 shkurt 2024.

Shkak është bërë fakti se avokatët nuk kanë bërë mbrojtjen për Veliajn, bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa dhe dy persona të tjerë që janë nën hetim.

Ish-deputetja e PS, Klotilda Bushka

Ndërkohë, ish-kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka, e cila është marrë e pandehur për veprën penale “pengim i drejtësisë” në dosjen “Veliaj”, kërkoi në GJKKO pushimin e akuzës ndaj saj. Në alternativë, nëse nuk aprovohet kërkesa e saj, mbrojtja e Bushkës kërkoi gjykim të shkurtuar.

Gjatë seancës së sotme avokatët e Veliajt shtruan për diskutim momentin procedural dhe të drejtën që ka klienti i tyre në këtë fazë të procedimit për kërkesën për gjykim të shkurtuar. Sipas tyre, për sa kohë Veliaj nuk është njohur me aktet s’ka se si të vendosë nëse do të  gjykohet me gjykim të shkurtuar apo të zakonshëm.

Në seancën e para tre ditëve në GJKKO, u pranua kërkesa e Veliajt, i cili ishte prezent në sallë, për t’u njohur me aktet hetimore.

“Deri në këtë moment unë nuk jam njohur asnjëherë, as për një ditë, as për një faqe, me përmbajtjen e dosjes penale që numëron rreth 60 mijë faqe. USB-ja që prokuroria i ka përcjellë avokatëve të mi nuk mund të më dorëzohet ligjërisht, sepse rregullorja e paraburgimit ndalon përdorimin e çdo pajisjeje elektronike. Ky nuk është një kufizim i rastësishëm: është një pamundësi objektive, e cila e bën formal çdo pretendim se ‘dosja më është vënë në dispozicion“, deklaroi Veliaj më 2 dhjetor.

Ai ngriti shqetësime edhe për mënyrën e trajtimit të tij, duke theksuar se vendosja në kafaz para trupit gjykues është një masë poshtëruese dhe në kundërshtim me të drejtat e garantuara nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ).

Veliaj ndodhet në paraburgim që prej muajit shkurt të këtij viti, i akuzuar për pastrim parash, mosdeklarim pasurie, korrupsion pasiv në 9 raste, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli.

Bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohet për mosdeklarim pasurie, fshehje të të ardhurave dhe pastrim parash, ndërsa në dosje është e përfshirë edhe ish-deputetja Klotilda Bushka për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë