Gazeta Si – Gjykata e Posaçme ka shtyrë për në 15 prill, ora 14:00 seancën e radhës për dosjen “Partizani”, çështje për të cilën të akuzuar janë kreu i PD, Sali Berisha dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.
Shkak i shtyrjes së seancës së sotme është bërë mungesa e avokatit të të pandehurit Xhimi Begeja. Berisha dhe Malltezi janë nën akuzë në lidhje me procesin e privatizimit të ish-kompleksit sportiv.
Prej muajsh, procesi formal është zvarritur pasi gjyqtarja Flojera Davidhi ende nuk ka marrë një vendim për ta kaluar apo jo dosjen për gjykim. Herën e kaluar seanca u shty për shkak të mungesës së avokatit të Jamarbër Malltezit.
Përveç kalimit për gjykim dy mundësitë e tjera që gjyqtarja ka janë: pushimin e saj, ose kthimin për plotësim hetimesh, me një afat shtesë për SPAK-un.
Aktualisht i vetmi në masën e sigurisë “arrest shtëpie” prej të pandehurve, është Jamarbër Malltezi, ndërsa kryedemokrati Sali Berisha u lirua në nëntor të vitit të kaluar pas një arresti 11 mujor.
Biznesmeni Fatmir Bektashi akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash, ndërsa dy të pandehurit e tjerë, Xhimi Begeja dhe Andia Pustina vetëm për pastrim parash.
SPAK dyshon se të pandehurit kanë bashkëpunuar për të kryer privatizimin e ish-kompleksit sportive “Partizani” në shkelje të ligjeve duke përfituar nga pozita e Malltezit dhe lidhja e tij me Berishën në kohën kur ky i fundit ishte kryeministër.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.