Drejtësia

Sot seanca gjyqësore për “Gërdecin”, Mediu tërhiqet nga gjykimi i shkurtuar

Këtë të martë u mbajt procesi gjyqësor për çështjen ‘Gërdeci’ ku seanca nisi në orën 14:00.

Në gjyqin e radhës u thirrën si palë në proces familjaret e viktimave dhe të dëmtuarit.

Ndërkohë, ish-ministri Fatmir Mediu ka kërkuar që të heqë dorë nga gjykimi i shkurtuar në GJKKO.

Më herët seanca ndaj ish-ministrit Fatmir Mediu ishte shtyrë për shkak të verifikimit të listës së paraqitur nga familjarët e personave të dëmtuar nga shpërthimi.

Rihapja e hetimeve ndaj Mediut nisi pas kërkesës së familjes Durda, të cilët humbën djalin 6 vjeç në këtë tragjedi.

Nga analizimi i pretendimeve në kërkesën për rihapjen e hetimeve, rezulton se ekzistojnë të gjitha shkaqet ligjore për revokimin e vendimit të pushimit të çështjes penale ndaj Mediut dhe të rihapen hetimet ndaj tij për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim.

Më parë Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi pranimin e familjarëve të viktimave të Gërdecit, si palë në procesin kundër ish ministrit Fatmir Mediu.

26 persona humbën jetën dhe 300 të tjerë u plagosën nga shpërthimi i një baze ushtarake më 15 mars të vitit 2008.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë