Luhen sot dy ndeshjet e radhës të fazës së 1/8-ve të Euro 2020: Holanda përballet me Çekinë në orën 18:00, në “Pushkash Arena” të Budapestit, kurse në mbrëmje do të jetë sfida Belgjikë-Portugali, ose sfida Lukaku-Ronaldo, që zhvillohet në Sevilje. Sot dy skuadra të tjera do t’u bashkohen Italisë dhe Danimarkës në çerekfinale.
Holanda vjen në këtë fazë të kampionatit pas një forme shumë të mirë të treguar në ndeshjet në grup, me 3 fitore dhe një sulm të frikshëm: 8 gola të shënuar dhe 2 të pësuar. Trajneri de Boer, pavarësisht kritikave të tifozëve për skemën e lojës, e ka organizuar mirë skuadrën, që ka funksionuar gati në mënyrë perfekte. Depai, kapiteni Uijnaldum dhe mbrojtësi i krahut Dumfris janë titullarët më në formë të “tulipanëve”.
Sigurisht, Holanda ka më shumë kualitet në skuadër në krahasim me Çekinë, që arriti të kualifikohet si një nga të tretat më të mira, me 4 pikë në grup. Çekët nuk kanë ndonjë yll në skuadër, por bazohen te sulmuesi Patrik Shik, autor i 3 golave deri tani, dhe te një mesfushë shumë punëtore. Holanda është favorite në letër për kalimin në çerekfinale. Në këtë ncdshje pritet me interes edhe fakti, nëse do të ketë apo jo kore raciste.
Një sfidë mjaft interesante është ajo e mbrëmjes mes Belgjikës dhe Portugalisë. Pas saj, njëri mes Kristiano Ronaldos dhe Romelu Lukakut duhet t’i japë lamtumirën Euro 2020. Vështirë të bëhen parashikime për një ndeshje të tillë, ku gjithçka vendoset nga episode dhe nga fati.
Ronaldo, shënuesi më i mirë i fazës në grupe, me 5 gola, synon të përmirësojë rekordet e tij dhe raste të tilla nuk i lë pa shfrytëzuar. Portugalia ka një skuadër të kompletuar dhe ndoshta defekti i vetëm është qendra e mbrojtjes, ose më saktë veterani Pepe. Trajneri Santos nuk ka mungesa.
Në krahun tjetër, trajneri Martinez nuk ka të gatshëm Kastanje dhe Çadli, por Belgjika ka një organikë shumë të pasur lojtarësh. Lukaku e ka paralajmëruar Ronaldon, duke thënë se titullin në Serinë A e ka fituar ai dhe duke lënë të nënkuptohet se është më i fortë se portugezi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.