Gazeta Si – Përurohet në Kuçovë, baza ajrore e restauruar, e cila do të jetë në shërbim të NATO-s.
Kjo bazë do të shërbejë si qendër për aktivitetet e Forcës sonë Ajrore, duke ofruar infrastrukturë të avancuar për avionët luftarakë dhe ata të transportit të Aleancës.
Punimet për rikonstruksionin e saj nisën në janar të vitit 2022. Prej asaj kohe është punuar për sistemin e rrethimit dhe të sigurisë e po ashtu të mbrojtjes në perimetrin ku shtrihet kjo bazë.
Nga NATO janë të investuara afërsisht 50 milionë euro dhe më shumë se 5 milionë euro janë investuar nga qeveria shqiptare.
Autoritetet shqiptare kanë marrë përsipër ndërtimin e perimetrit të sigurisë dhe rrugëve lidhëse, ndriçimit, vendosjen e kamerave të sigurisë së bazës si dhe të sensorëve të zbulimit të ndërhyrjeve përgjatë rrethimit të bazës.
Kryeministri Edi Rama ka postuar mëngjesin e kësaj të hëne disa pamje të montimit të dronëve “Bayraktar”.
Këta të fundit do të bëjnë fluturimin e parë në ceremoninë çeljes së bazës së re ajrore të NATO-s sot në Kuçovë.
“Mirëmëngjes, dhe me disa momente nga montimi i dronëve Bayraktar, që do të bëjnë fluturimin e parë në ceremoninë e çeljes së bazës së re ajrore të NATO-s sot në Kuçovë, ju uroj një javë të mbarë”, shkruan kreu i qeverisë.
Me përurimin e bazës më 4 Mars trupat e NATO-s dhe mjetet fluturuese të saj do të akomodohen, stërviten dhe fluturojnë duke u nisur nga baza ajrore e Kuçovës. Kjo bazë ajrore taktike u përmend edhe nga Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken gjatë vizitës së tij në Tiranë. Shqipëria është anëtare e NATO-s prej vitit 2009.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.