Politike

‘Sot opozitës iu shpall luftë’. PD: Hakmarrje e verbër politike. Të dalin Tahiri e Dako e të shkojë Salianji në burg

Partia Demokratike ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Apelit që dënoi me 1 burg deputetin Ervin Salianji.

Selia blu e konsideron vendimin një hakmarrje të verbër politike ndaj deputetit demokrat për shkak të denoncimeve të tij ndaj kryeministrit Edi Rama dhe segmenteve të qeverisë. Sipas PD-së, sot opozitës iu shpall luftë.


"Sot në luftën e shpallur ndaj opozitës, Edvin Kristaq Rama dënoi me burgim politik deputetin e opozitës Ervin Salianji për betejën e tij guximtare kundër Edi Ramës dhe narko-shtetit të tij. Sot Ervin Salianji u dënua nga Edi Rama, Geron dhe Fatzi Xhafa në një akt hakmarrje të verbër politike për faktin e vetëm se deputeti Salianji vërtetoi lidhjen dhe veprimtarinë kriminale të narko-trafikantit ndërkombëtar vëllait të Fatmir Xhafës, ministër trafikant, dhe Edi Ramës kreu i narko-shtetit shqiptar.

Dënimi i sotëm i Ervin Salianjit dëshmon se në këtë vend droga dhe krimi i lidhur me qeverinë janë vendim-marrësit kryesorë në narko-shtetin shqiptar. Partia Demokratike dënon me forcën më të madhe këtë akt politik të shëmtuar të Edi Ramës dhe narko-shtetit të tij kundër Partisë Demokratike, opozitës dhe pluralizmit politik në Shqipëri si dëshmi e terrorit të egër ndaj opozitës për Partinë Demokratike, për çdo demokrate dhe demokrat, për çdo opozitare dhe opozitar, ky akt është një kushtrim, është një SOS të ngrihemi në mosbindje civile: “O sot, o kurrë” kundër Edi Ramës dhe narko-diktaturës së tij", deklaroi nën Kryetari i Pd, Luçiano Boçi, i cili lexoi deklaratën e Kryetarit Sali Berisha.

Ndërkohë Gazment Bardhi tha se dënimi i Ervin Salianjit me 1 vit burg për kallëzim të rremë, është vendim politik dhe një mesazh nga Edi Rama për këdo që denoncon korrupsionin dhe krimin në Shqipëri.

“Nuk shkoj në burg Ervin Salianji. Vendimi i sotëm është kundër çdo qytetari që ka vendosur të jetojë në këtë vend dhe të denoncojë korrupsionin dhe lidhjet me krimin e organizuar të Edi Ramës. Salianji ka thënë që Geron Xhafaj, vëllai i ministrit Fatmir Xhafaj, është trafikant droge. Prandaj po shkon në burg. Ku është kallëzimi i rremë këtu?”, tha Bardhi në një deklaratë për mediat para godinës së selisë së PD.

“Kush e dha sot vendimin? një gjyqtar i cili ka qenë përfaqësues politik në KQZ për socialistët, një njeri që ka marrë premtimin nga Fatmir Xhafaj, që do të shkojë në Gjykatën e Lartë. Ky vendim është shpallje lufte ndaj grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Vendimi është politik. Të dalë jashtë burgut Saimir Tahiri dhe të shkojë një deputet i opozitës që ka guximin të bëjë denoncime? Të dalë nga burgu Vangjush Dako dhe të  ë shkojë një deputet i opozitës që ka guximin të bëjë denoncime?”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë