Gazeta Si – Seanca e parë e gjyqit në themel të dosjes “Partizani”, e cila nisi këtë të hënë, ka zgjatur fare pak minuta për shkak të mungesës së ish-kryeministrit Sali Berisha, një prej 5 të pandehurve të akuzuar për korrupsion nga SPAK. Për këtë arye, treshja gjykuese e GJKKO vendosi ta shtyjë seancën në datën 21 korrik, ora 10:30.
Ndryshe nga ç’ishte parashikuar, Gjykata e Posaçme AntiKorrupsion e mori këtë vendim pasi në sallën e gjyqit munguan edhe biznesmeni Fatmir Bektashi, Andia Pustina dhe avokatët e kompanisë “Homeplan shpk”.
Në ambientet e GJKKO-së, u paraqit dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi. Ai vijoi me akuzat ndaj Prokurorisë së Posaçme, ndërsa vuri theksin te kërkesa e tij për ndryshimin e masës së sigurisë. Seanca për këtë të fundit, do të zhvillohet më 7 korrik.
Avokatja e Berishës, Klodiana Gjyzari arsyetoi se njoftimi për Berishën është bërë me vonesë “Njoftimi la shkuar ditën e premte për Berishën, është firmosur nga Malltezi. Koha ka qenë e shkurtër për tu njoftuar sipas shpjegimit që dha Malltezi. Edhe ne nuk kemi pasur kontakte gjatë kësaj kohe”,- tha ajo.
Ndërsa prokurori i posaçëm Arben Kraja kërkoi shtyrjen e seancës pasi nuk është bërë njoftimi i Berishës sipas ligjit dhe i pandehuri tjetër Fatmir Bektashi nuk u paraqit për arsye shëndetësore.
Mësohet se prokurori Arben Kraja ka deklaruar se “I pandehuri Sali Berisha nuk është njoftuar për seancën e sotme, po ashtu shoqëria Homeplan shpk nuk ka avokat në sallë”.
Ndërkohë, trupa gjykuese pyeti Jamarbër Malltezin nëse ka njoftuar Berishën për seancën, pasi OPGJ ia ka lënë atij fletëthirrjen.
Mësohet se dhëndri i Berishës ka deklaruar në sallë se nuk e ka njoftuar vjehrrin. Ndërkohë, GJKKO shtyu më datë 7 korrik seancën për Malltezin, i cili ka kërkuar për revokimin e masës së sigurisë, “arrest shtëpie”.
Dosja do të gjykohet nga një treshe gjyqtarësh të caktuar me short Elsa Ulliri kryesuese, Bib Ndreca dhe Rudina Palloi anëtarë të trupit gjykues.
Por, Ulliri ka paraqitur kërkesën për dorëheqje nga gjykimi i dosjes “Partizani”. Mësohet se dorëheqja është paraqitur tek drejtuesi i GJKKO, Erion Bani prej 10 ditësh.
Në argumentet e saj thotë se është kushërirë me deputeten demokrate Andia Ulliri. Asnjë nga të pandehurit nuk ka kërkuar gjykim të shkurtuar, çka do të thotë që do të jetë një proces i gjatë.
Dosja “Partizani” kaloi për gjykim më 19 maj, pak ditë pas zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit, pasi u zvarrit prej 7 muajsh.
Berisha do të gjykohet për akuzën e korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë pasi akuzohet se, në cilësinë e kryeministrit, ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, ku përfitues ishte edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.
Sipas SPAK, Berisha dyshohet se ka favorizuar dhëndrin përmes vendimeve qeveritare në kohën kur ishte kryeministër.
Malltezi akuzohet për përfitime të paligjshme në vlerën e 5.4 milionë eurove. Berisha ndodhet në “detyrim paraqitje”, ndërsa Malltezi vijon të jetë në arrest shtëpie.
Për herë të parë që nga krijimi i GJKKO-së në 19 dhjetor të 2019, në bankën e të akuzuarve pritet që një ish-kryeministër të përballet me akuzat për korrupsion.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.