Një ndeshje e një profili të lartë ajo mes Portugalisë dhe Gjermanisë, që luhet sot në Mynih, në orën 18:00, me gjermanët që nuk mund t’ia lejpojnë vetes hapin fals, pas humbjes me Francën në debutimin e Euro 2020.
Hera e fundit që Portugalia e ka mundur Gjermaninë është ajo e fazës në grupe në Euro 2000: një sukses 3-0, falë një triplete të Serxhio Konseisaos dhe kjo është hera e fundit që Gjermania ka pësuar 3 gola nga i njëjti lojtar në një ndeshje mes Europianëve dhe Botërorëve. Që atëherë, kombëtarja gjermane ka fituar 4 ndeshje ndaj Portugalisë, të gjitha në turne madhorë (Botërori 2006, Euro 2008, Euro 2012, Botërori 2014).
Është përballja e 5-të mes Portugalisë dhe Gjermanisë në Europian, vetëm Italia dhe Spanja janë ndeshur më shumë mes tyre (6) në këtë kompeticion. Në 5 ndeshjet e fundit mes Portugalisë dhe Gjermanisë janë shënuar 17 gola, me një mesatare 3.4 golash për ndeshje. Portugalia ka humbur vetëm 2 nga 30 ndeshjet e fundit në të gjitha kompeticionet, duke shënuar 67 gola dhe pësuar 19.
Kristiano Ronaldo nuk ka shënuar asnjëherë në 4 ndeshjet e luajtura kundër Gjermanisë, edhe pse ka bërë 23 gjuajtje në 360 minuta lojë. Vetëm kundër Francës sulmuesi portugez ka luajtur më shumë herë (6) me kombëtaren pa gjetur rrugën e rrjetës. E vetmja tripletë e Tomas Myler me fanellën e kombëtares gjermane është pikërisht ajo ndaj Portugalisë në fazën e grupeve të Botërorit 2014. Trajneri Lëv sot mund të ketë gati edhe Goretzkën. Për Gjermaninë vlen vetëm fitorja.
Franca ka një ndeshje të lehtë në letër, teksa ndeshet me Hungarinë në “Pushkash Arena”, në orën 15:00. Kampionët e botës, pas fitores ndaj Gjermanisë, nuk kanë në plan ta vonojnë kualifikimin për në fazën e 1/8-ve. Diferenca mes skuadrave është vërtet e madhe. Kilian Mbape ende nuk e ka shënuar golin e parë, po ashtu edhe sulmuesit e tjerë të Deshamp.
Në mbrëmje do të jetë radha e Spanjës, që pas barazimit shterpë me Suedinë, duhet medoemos të mundë Poloninë për t’u kualifikuar. Trajneri Luis Enrike pritet të ketë të gatshëm edhe kapitenin Buskets, që ka dalë negativ në tamponin e fundit. Sot pritet një Spanjë më sulmuese në stadiumin e Seviljes. Polonia e Levandovskit u mund nga Sllovakia në ndeshjen e parë dhe sot do të japë gjithçka.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.